Blushi me strukturat në Kavajë: Rikthejmë shërbimet jetike pranë qytetarëve

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se, PL synon dyfishim të pagave dhe pensionet mbi nivelin e mesatares së rajonit.
Në fjalën e tij në mbledhjen me strukturat drejtuese të Partisë së Lirisë në Kavajë tha se, Partia e Lirisë, në programin e saj ka 5 prioritete.
Ai theksoi se, PL angazhohet që pas 11 majit të rikthejë shërbimet jetike pranë qytetarëve.
Ai u ndal edhe në çështjet e pagave, pensionet, punësimi, ndihma ekonomike për shtresat më në nevojë të Kavajës.
Blushi tha se, “Kavaja është e penalizuar, sepse edhe me buxhetin që Edi Rama miratoi këtë vit në Parlament, nuk do të bëjë asgjë tjetër, veçse do të thellojë varfërinë e qytetarëve dhe pensionistëve të Kavajës. Edhe bonusin e fundvitit që dha për pensionistët, Rama ua mori me faturat super të kripura dhe abuzive të energjisë elektrike”.
“0 fonde për indeksim të pagave nga rritja e çmimeve dhe ndërkohë 109.5 miliard lekë shtesë për projektet koncesionare. Jo vetëm 0% rritje por ulje të fondeve për familjet me ndihmë ekonomike. 0% fonde shtesë për kategorinë e të papunëve, numri i të cilëve është në rritje. 0% fonde shtesë për kujdesin social, ç’ka paralajmëron thellimin e mjerimit për mijëra familje të tjera”, theksoi Blushi.
Gjithashtu ai theksoi se PL do të garantojë që “Shqipëria të jetë fuqi eksportuese, në mënyrë që të gjitha prodhimet bio apo prodhimet e fermerëve duarartë të Kavajës të mund të gjejnë jo vetëm shitje në tregun vendas po edhe në tregun ndërkombëtar”.
“Ne kemi programin tonë që mbështetet në fuqizimin e familjes shqiptare dhe vlerave të saj”, tha më tej Blushi.
Blushi theksoi se, “Kavaja ka treguar që është një trevë patriotike, e ka treguar që është zemra e Lirisë dhe e Demokracisë, duke u kthyer në forcë për të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë dhe unë jam i bindur që edhe falë jush ne në këto zgjedhje do të arrijmë një rezultat të jashtëzakonshëm dhe të paparë në Kavajë”. /j.p/