E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode në Komisionin e Ekonomisë kërkon rialokimin e buxhetit, pranon krizën

TIRANË - Qeveria ka pranuar efektet që ka dhënë kriza ekonomike në buxhetin e shtetit. Ministri i Financave, Ridvan Bode ka dërguar sot në Komisionin e Ekonomisë projektligjin për rialokimin e buxhetit të 2009-ës.



Ai ka sqaruar se janë afro 10 miliard lekë që do të rivlerësohen, ku 8 miliard lekë i përkasin investimeve publike, tenderat e të cilave nuk janë realizuar në kohë, ndaj anulohen. "Po kështu janë edhe 1.3 miliard lekë të tjetra të cilat i kemi kursyer nga shpenzimet operative", tha Bode në komision.



Ministri foli edhe për arsyet që çuan në devijimin e fondeve. "Rishikimi i buxhetit bëhet si pasojë e mos mbledhjes së taksave dhe tatimeve në nivelin e programuar në fillim të vitit", u shpreh ai. Sipas tij, doganat dhe pushteti lokal janë dy institucionet që kanë pasur probleme në mbledhjen e taksave.



Risku kryesor i ekonomisë mbetet kursi i këmbimit. "Huan më të madhe e kemi në valutë ndaj dhe ndryshimi i kursit të këmbimit na ka sjellë një rivlerësim edhe të borxhit të jashtëm", u shpreh Bode. Ai kërkoi që ekspertët të bëjnë analizat dhe të mos dalin në konkluzione paraprake, pasi sipas tij kjo luhatja e kursit mund të jetë e përkohshme.



Ministri kërkoi që në buxhetin e vitit që vjen pushteti lokal të rishikojë shpenzimet operative me tendencë ulje dhe të përqendrohet në realizimin në kohë të investimeve publike.



Kjo ishte mbledhja e parë e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, që u zhvillua pa deputetët e opozitës. Komisioni miratoi me votat e mazhorancës ndryshimet në buxhet.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›