Bode ngrin shpenzimet e administratës, ndalohen prokurimet, trajnimet, udhëtimet e dietat
E detyruar nga kriza ekonomike, e cila prej disa muajsh ka përkeqësuar ndjeshëm të ardhurat nga taksat, Ministria e Financave ka shtrënguar shpenzimet operative duke nisur që nga tenderët për arsye arredimi dhe rregullimi ndërtesash, shpërblimet, dietat, trajnimet dhe deri te tarifat e telefonave për punonjësit e administratës.
Sipas një vendimi të hartuar në 28 gusht nga Departamenti i Buxhetit, që nga data 7 shtator asnjë institucion i qeverisjes qendrore nuk ka të drejtë që të ndërmarrë tender për prokurim të fondeve buxhetore nëse nuk merr më parë leje nga ministri i Financave, ku njëkohësisht është i detyruar të tregojë edhe burimin e financimit, raporton Vizion Plus.
Më pas, në një pikë tjetër të vendimit thuhet se do të reduktohen me 20% tarifat e telefonisë celulare të punonjësve, por përveç kësaj financat kërkojnë edhe shkurtimin e dietave, udhëtimeve dhe trajnimeve. Ato lejohen vetëm për raste të rëndësisë së veçantë dhe për një numër të kufizuar punonjësish, serish me leje të ministrit Bode.
Shkurtimet prekin edhe pjesën e një fondi të veçantë që kanë institucionet shtetërore, ku 5% e fondit të pagave shërben për shpërblime të administratës apo aktivitete të ndryshme kulturore, ky fond sipas këtij vendimi nuk duhet prekur deri në datën 5 dhjetor, dhe ministra synon të përfitojë nga kjo masë afro 200 milion lekë.
Kjo është hera e parë që qeveria detyrohet të bëjë shkurtime të gjithanshme deri në këtë masë, kjo pasi një nga zërat më problematikë në buxhet gjatë muajve të parë të vitit kanë qenë pikërisht shpenzimet e institucioneve shtetërore të cilat bien ndesh me realizimin e të ardhurave në buxhet. Nga ana tjetër edhe pse ndodhet në një situatë të vështirë financiare, shpenzimet për sa i përket investimeve publike vijojnë të mbeten të njëjta, madje ditët e fundit qeveria është duke miratuar edhe një marrëveshje huaje për përfundimin e bypass-it të Fierit, taktikë kjo e denoncuar dhe më parë nga opozita si një manovër elektorale që po ndodh në prag të zgjedhjeve të 2013-ës.
