Berisha: Imunitetin do e heqim me çdo kusht, nuk ka rëndësi rruga
Kryeministri Berisha gjatë vizitës që është duke zhvilluar në Slloveni, ka mbajtur një konferencë shtypi me homologun e tij slloven, Janez Jansa. Gjatë fjalës së tij, Berisha është ndalur sërish tek imuniteti duke thënë se është i vendosur për heqjen e tij me çdo kusht.
Heqja e imunitetit bëhet për të bërë politikën shqiptare, zyrtarët shqiptarë, më civil e të barabartë para ligjit me qytetarët e tjerë. Heqja e imunitetit është kërkesa ndër më të drejtat dhe legjitimet e Bashkimit Evropian. Vendet e lira nuk mund të pranojnë që zyrtarët e tyre të jenë imun për keq veprimet që bëjnë në drejtim të korrupsionit dhe krimit të zakonshëm. Ka 10 vjet që ne kemi kërkuar një gjë të tillë, kemi qenë në opozitë dhe në mënyrë të përsëritur e kërkojmë, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij.
Berisha pohoi se e rëndësishme është heqja e imunitetit dhe rruga që do të ndiqet. Ai pohoi se nuk është tërhequr nga ideja e referendumit.
Theksoj këtu se për mua nuk kanë rëndësi rrugët, rëndësi absolute ka heqja e imunitetit. Natyrisht pas një serie dështimesh për ta hequr në rrugë parlamentare për shkak të kundërshtimit të palës tjetër, ne kemi vendosur ti drejtohemi popullit për referendum dhe absolutisht opsioni i referendumit mbetet në këmbë dhe operativ që në momentin që parlamenti nuk do të votojë heqjen e tij, sepse unë e gjykova që ky është një parim i madh i vlefshëm për të luftuar me të gjitha mjetet demokratike, tha Berisha.
Opozita është dakord për heqjen e imunitetit në Kuvend, por e kushtëzon atë me disa ndryshime të tjera. Mazhoranca ndërkohë shprehet se fillimisht duhet hequr imuniteti dhe më pas të flitet për ndryshimet e tjera.