E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode premton një tjetër autostradë dhe akuzon Ramën se nuk e do shkollimin e të rinjve

ridiMinistri i Ekonomisë, Ridvan Bode, ka mbajtur një takim me të rinjtë e Kolonjës, të cilëve u ka premtuar se në katër vitet e ardhshve, PD do të ndërtojë autostradën Korçë-Ersekë.

Ne së afërmi inagurojmë përfundimin e rrugës Tiranë-Elbasan, që e çon distancën midis dy qyteteve në vetëm 20 minuta dhe njëkohësisht fillojmë ndërtimin e rrugës nga Qukësi në Qafë-Plloçë dhe autostradën Korçë – Ersekë, që do të thotë se në Ersekë do të mbërijmë në më pak se 2 orë nga Tirana. Në këtë mënyrë aktivitetet ekonomike do kenë një kosto shumë më të ulët dhe produktet e Kolonjës do të shkojnë në metropolin shqiptar për më pak se dy orë, kjo do të thotë që investitorët të venë në efiçencë këto kapacitete natyrore, burime dhe potenciale që ofron Kolonja me të gjithë hapësirën e saj. Prandaj të nderuar motra dhe vëllezër ju ftoj që të gjithë ju të trokisni ne çdo derë, të takoni çdo moshatar tuajin, të bisedoni me gjithësecilin për ti thënë se rruga e zhvillimit të Kolonjës, se rruga e zhvillimit të Korçës e Shqipërisë është ajo për të mbështetur në 23 qershor me votë Partinë Demokratike, e cila çdo ditë, çdo orë punon për zhvillimin anekënd të Shqipërisë dhe integrimin e saj në hapësirën europiane, ka thënë Bode.

Ai ka sulmuar kreun e opozitës se është kundër shkollimit të të rinjve, ndryshe nga PD, që sipas tij është partia më e dashur nga të rinjtë, pasi simbolizon lirinë.

Vite më parë shkalla e rekrutimit të të rinjve në universitete dhe ne shkollat e mesme ishte ndër më të ulëtat në rajonin tonë dhe e pakrahasueshme me ato të BE. Në tetë vite kohët kanë ndryshuar. Numëri i të rinjve që ndjekin shkollat e larta pas kryerjes së arsimit të mesëm ka kapur shifrën 80%. Përqindja e të rinjve që arsimohet në universitete është më e larta krahasuar me vendet e rajonit dhe me shpejtësi po i afrohemi standarteve dhe mesatares së vendeve të BE, sepse ne në tetë vite qeverisje kemi rritur me 3.5 herë numërin e studentëve, që regjistrohen në universitete.

Edi Rama quajti diplomat e universiteteve shqiptare letra bakalli pa vlerë, sepse ai nuk e do shkollimin e shqiptarëve, nuk e do shkollimin e të rinjve, përkundrazi kërkon që dogma e tij me ndarjet në përkatësi politike të jetë e përjetshme, por ja që ne shqiptarët duam tjetër gjë, ne duam njerëzit e lirë, njerëzit që aspirojnë dhe dëshirojnë të përfshihen në hapësirën europiane, tha Bode.

Ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO në ditën kur Edi Rama protestonte rrugëve të Tiranës për ta bllokuar këtë anëtarësim.

Ne nisëm bisedimet për marrëveshjen e stabilizim-asocimit me BE, në ditën kur Edi Rama frynte bilbilat në parlamentin shqiptar.

Ne hoqëm vizat për ju të rinjtë, që të lëvizni të lirë në hapësirën europiane në ditën kur Edi Rama organizonte greva urie përpara kryeministrisë, vijoi ai, ndërsa tha se qeveria demokratike ka bërë të mundur që të rinjtë të kenë më shumë akses në internet dhe për pasojë edhe në rrjetet sociale./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›