E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani: Përfaqësimi në KLP kërkon integritet, pavarësi dhe përgjegjshmëri

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Në ambientet e Polit të Drejtësisë u zhvillua sot Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve, në kuadër të procesit zgjedhor për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), nga radhët e prokurorisë.

Përmes këtij procesi zgjedhor, prokurorët do të zgjedhin tre përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të cilët do të zëvendësojnë anëtarët që përfundojnë mandatin në 2026, përkatësisht Sokol Stojani, përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme; Ledina Riza, përfaqësuese e prokurorive të apelit; dhe Zeqir Hoda, përfaqësues i prokurorive të shkallës së parë.

Në këtë aktivitet, kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, mbajti fjalën e saj përshëndetëse, duke vlerësuar rëndësinë e procesit zgjedhor për ripërtëritjen e përbërjes së Këshillit dhe vijimësinë e përfaqësimit të prokurorëve në këtë organ kushtetues.

Në fjalën e saj, Bogdani theksoi se zgjedhja e anëtarëve të rinj shkon përtej një procesi të zakonshëm përfaqësimi, pasi lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësinë për vendimmarrje të pavarur, të paanshme dhe të mbështetur në kritere ligjore, në funksion të forcimit të standardeve të qeverisjes së sistemit të prokurorisë.

Duke reflektuar mbi përvojën institucionale të Këshillit, Bogdani u ndal te pesha e vendimeve që ky organ mban në lidhje me karrierën, vlerësimin dhe statusin e prokurorëve, si dhe në përzgjedhjen e drejtuesve të strukturave të rëndësishme të sistemit. Në këtë kontekst, ajo nënvizoi se përgjegjësia e anëtarëve të Këshillit nuk kufizohet te përfaqësimi i kolegëve që i zgjedhin, por shtrihet te garantimi i standardeve dhe mbrojtja e interesit institucional.

Një vend të veçantë në fjalën e saj zuri rëndësia e integritetit, kolegjialitetit dhe pavarësisë së gjykimit, duke theksuar se përfaqësimi i prokurorëve në Këshill duhet të mbështetet në përgjegjshmëri dhe respektim të parimeve, përtej marrëdhënieve apo pritshmërive individuale.

“Vota që do t’u jepni sot kolegëve nuk është një borxh që pret të shlyhet nesër me një promovim apo shfajësim. Është besim që kërkon përgjegjësi e cila rëndon deri në fund”, u shpreh Bogdani, duke nënvizuar se vlera e një mandati institucional matet mbi të gjitha me standardet që lë pas.

Ripërtëritja e përbërjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë përmes zgjedhjes së anëtarëve nga radhët e prokurorisë përbën një element të rëndësishëm të funksionimit të modelit të qeverisjes së sistemit të prokurorisë, duke ruajtur vijimësinë institucionale dhe përgjegjësinë e përbashkët për konsolidimin e pavarësisë dhe besimit publik në drejtësi.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›