E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Rama, fushatë shpifjesh kundër Bashës

Partia Demokratike ka akuzuar kreun e Bashkisë së Tiranës Edi Rama se po zhvillon fushatë shpifjesh dhe përbaltjesh kundër rivalit të tij Lulzim Basha. Në një konferencë për shtyp deputeti i PD-së Gerti Bogdani ka theksuar se Rama përveç shpifjeve nuk po ofron asnjë ide apo alternativë për qytetarët e Tiranës.

“Ju e patë se Edi Rama ishte dje në Durrës duke vazhduar luftën e tij politike, e cila nuk ndërton asnjë rrugë të re, asnjë shkollë të re, asnjë park të ri në qytet. Kjo politikë e Edi Ramës nuk sjell asnjë vend të ri pune, nuk ul as taksat dhe as çmimet. Ndërsa Lulzim Basha ishte dje, sot, dhe do të jetë çdo ditë në mes të qytetarëve të Tiranës, duke ndarë me ta hallet dhe shqetësimet, si dhe duke komunikuar për zgjidhjen e problemeve të mëdha që ka qyteti dhe jeta e përditshme”, theksoi Bogdani.
 

Gjithashtu ai akuzoi kreun e opozitës Rama se po përsërit çdo ditë programin e fyerjeve të ulëta dhe shpifjeve jashtë çdo etike qytetare.
Bogdani theksoi se shpifjet e Ramës nuk e dekurajojnë aspak Lulzim Bashën, pasi ai ka një projekt serioz për përmirësimin e jetës në Tiranë, sepse sipas tij për kandidatin e maxhorancës, Tirana është e para dhe të parët janë qytetarët e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›