Bogdani: Tahiri ministër, goditja më domethënëse që i bëhet shtetit ligjor
Partia Demokratike vijon sulmet ndaj ministrave të qeverisë së re. Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, deputeti Gert Bogdani akuzoi ministrin e ardhshëm të punëve të Brendshme, Saimir Tahiri për lidhje me persona të kërkuar për trafiqe, pastrim parash e atentate ndaj uniformave të policisë. Sipas Bogdanit, “qeveria e re nuk do t’i shërbejë qytetarëve, pasi në përbërje të saj është një person që në më shume se një rast ka qenë përgjegjës për shkatërrimin dhe destabilizimin e rendit dhe sigurisë”.
“Për vite me radhë Shqipëria e luftoi krimin e organizuar dhe asetet e tij dhe për arritjet e kësaj lufte iu akordua ftesa dhe anëtarësimi në NATO dhe shqiptarëve iu hoqën vizat. Me emërimin e Saimir Tahirit si Ministër i Brendshëm, jo vetëm zhbëhen këto arritje, për më tepër, përfaqësuesit e krimit rikthehen kërcënueshëm tashmë të veshur me imunitet parlamentar dhe me ndërlidhësin e tyre në qeveri, jo më pak se në postin e ministrit të Brendshëm; njeriun e lidhjeve të shkurtra me përfaqësues të njohur për INTERPOL-in dhe EUROPOL-in të trafiqeve, pastrimit e parave dhe atentateve ndaj uniformave të Policisë së Shtetit. Lidhje që e bëjnë të vetmin Ministër të Brendshëm në historinë e Shqipërisë dhe në mbarë Ballkanin pronar të një skafi”- deklaroi Bogdani.
Për Partinë Demokratike, “emërimi i Sajmir Tahirit është goditja më domethënëse që i bëhet shtetit ligjor dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, shpërblim i drejtpërdrejtë i Edi Ramës për rolin e krimit në deformimin e votës në 23 Qershor”. Më tej, Bogdani theksoi se “Partia Demokratike do të mbrojë me vendosmëri institucionet e zbatimit të ligjit dhe shtetit në tërësi, nga çdo lloj revanshi anti institucional dhe me lidhje të qarta kriminale!”