Spartak Ngjela thyen heshtjen: Jam kundër qeverisë së re, Rama shkeli paktin
"Kërkova Ministrinë e Drejtësisë, mu ofrua një post fiktiv në qeveri"
Spartak Ngjela akuzon Edi Ramën se nuk respektoi paktin me të, që kishte të bënte me një post ministror në kabinetin e ri. Bëhet fjalë për Ministrinë e Drejtësisë, të cilën Rama ia kishte premtuar Ngjelës. Ai thotë se vendi vuan nga korrupsioni dhe Rama nuk ia dha postin e ministrit të Drejtësisë që ai ta luftonte me çdo kush këtë sëmundje të shoqërisë shqiptare. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Ngjela i përgjigjet një miku të tij i cili e shtyn të pranojë një post fiktiv në qeveri.
“Politika është shkollë. Unë nuk kam bërë marrëveshje për të drejtuar shtetin, por për shtetin dhe kundër korrupsionit. Ti ndoshta nuk jeton këtu, dhe nuk e di se gjithçka që po i bën të vuajë shqiptarët është korrupsioni. Heqja dorë nga posti i drejtësisë, donte të thoshte për njerëzit se i kam hyrë rrugës së interesit material. Unë s’kam nevojë për një gjë të tillë. Shqipëria ka hyrë në një fenomen antikorrupsion, të cilin edhe ti, sikurse edhe Rama, nuk e kuptoke dot”, shkruan Ngjela. Ai thekson se marrëveshja e tij me Ramën nuk është personale, por për shtetin.