E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti, ambasadori suedez takon Blushin dhe Malajn

Ambasadori i Suedisë në Shkup, Lars Freden, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së ka vendosur që të dëgjojë që të gjithë zërat brenda PS-së para se të dalë në një përfundim për bojkotin e opozitës. Pas takimit të dy ditëve më parë me Edi Ramën, ai zhvilloi dje një bisedë me kundërshtarët e bojkotit, dy anëtarët e Kryesisë Ben Blushi dhe Arben Malaj. Pas takimit, Malaj dhe Blushi shprehën vendosmërinë për ty hyrë në Parlament sa më parë, ndërsa burime nga takimi bënë të ditur se Lëvizja për Mendimin Ndryshe në PS e ka informuar zotin Freden mbi arsyet që e çuan PS drejt bojkotit dhe përse është e nevojshme që ajo të shkojë sa më parë në Kuvend. Dy ditë më parë, Rama sqaroi ambasadorin suedez përse opozita nuk mund të shkojë në Kuvend dhe kushtet e vëna për mazhorancën. Në të dyja rastet ambasadori ka zgjedhur të mos japë mendime, por vetëm të dëgjojë pretendimet e palëve. Sakaq, pas takimit Malaj dhe Blushi riktheksuan nevojën e kthimit në Kuvend, duke u bërë thirrje deputetëve të grupit parlamentar që të reflektojnë sa më parë. "Sigurisht që nëse një ditë Shqipëria do të ketë nevojë që të mbështesë reformat që nxisin apo përshpejtojnë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, ne do të marrim vendimet e duhura në favor të Shqipërisë dhe në asnjë rast në favor të qeverisë, apo Sali Berishës. Vendimet tona janë gjithmonë në favor të Shqipërisë, në funksion të integrimit dhe të anëtarësimit të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian", tha Blushi. Ndërsa sipas Malajt, bojkoti dëmton rëndë kredibilitetin dhe sfidat e Partisë Socialiste. Pra, tha ai, ishte një ftesë e sinqertë dhe është momenti që të paktën për vendimmarrje të rëndësishme që përshpejtojnë integrimin e vendit dhe nga të cilat fitojnë të gjithë shqiptarët, Partia Socialiste të paktën në këto momente të jetë produktive dhe e efektshme. Ishte një ftesë për shumë kolegë, të cilët kanë pasur mandate të rëndësishme në qeverisjen e Partisë Socialiste, janë personalitete të jetës politike, por nuk duhet se po gjejnë kurajën qytetare dhe obligimin qytetar, të paktën për gjëra kaq të rëndësishme të mos e pengojnë vendin e tyre. Në tërësi, Brukseli nuk e mbështet bojkotin e Parlamentit nga ana e opozitës, por vizita e Frenden në Tiranë duket se BE ka vendosur të dëgjojë më nga afër palët, qoftë edhe dy rrymat brenda PS-së për të dhënë një qëndrim përfundimtar. Nga ana tjetër, pas takimit me Frenden, Rama mblodhi aleatët duke vendosur të radikalizohet qëndrimi me protesta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›