E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boksieri premton: Do ta mbroj titullin e fituar këtë vit në Tiranë

Uashington - Boksieri i mirënjohur shqiptar, Kreshnik Qato, i cili do të mbrojë të shtunën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës titullin e kampionit të botës për peshën e mesme në versionin WBF, është pritur të enjten në mjediset e Ambasadës Shqiptare në Uashington nga funksionari më i lartë i saj, Ambasadori Aleksandër Sallabanda.

Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte organizuar një pritje në nderim të boksierit 30-vjeçar, pritje e cila nisi në ora 13:00 me orën lokale (19:00, me orën e Tiranës). Gjatë takimit me boksierin, Ambasadori Sallabanda e ka vlerësuar lart faktin që Qato arrin të zhvillojë një ndeshje kaq të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë të nuk e ka arritur asnjë boksier shqiptar më parë.

Qato e ka vlerësuar pritjen e bërë nga Ambasada Shqiptare në Uashington si një nder që i bëhet, duke e ftuar Ambasadorin Sallabanda të jetë i pranishëm në duelin e 20 dhjetorit, që do të zhvillohet në Pallatin e Sportit "Burr Arena" të Universitetit të Houardit në kryeqytetin amerikan. Qato ka premtuar se do ta mbrojë titullin e fituar këtë vit në Tiranë dhe ka shpresuar në mbështetjen e madhe të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke cituar shifrat zyrtare të publikuara nga Departamenti i Shtetit, duhet theksuar se janë rreth 600 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në SHBA, me një mesatare moshe prej rreth 40 vjeç dhe diaspora shqiptare nuk diferencohet nëse është nga Shqipëria, Kosova, shqiptarë të Malit të Zi apo Maqedonisë. Një pjesë e mirë e të 3,000 vendeve që ofrohen për duelin e 20 dhjetorit, pritet të zihen nga shqiptarët.

Në fakt, në një intervistë, Kasandra Uajt, drejtuesja e "Babie-Girl-Production", kompanisë amerikane që në bashkëpunim me "Yldon" Sh.p.k dhe z. Ylli Ndroqi, kanë organizuar duelin e 20 dhjetorit, ka theksuar se "reagimi ka qenë i jashtëzakonshëm, veçanërisht nga komuniteti i shqiptarëve në Uashington, por edhe nga shqiptarët që banojnë në qytete të tjera. Unë mund të përmend këtu vetëm disa prej qyteteve, të tilla si Filadelfia, Detroiti, Bostoni apo Çikago", - thekson ajo në intervistën e dhënë të mërkurën.

I pranishëm në takimin me Ambasadorin Sallabanda ka qenë edhe promotori shqiptar i Kreshnik Qatos, Z. Ylli Ndroqi, i cili e ka vlerësuar këtë pritje, duke theksuar ndihmën e pakursyer që qeveria shqiptare, e në veçanti Kryeministri Sali Berisha, kanë dhënë për Qaton gjatë këtyre 2-3 vjetëve të fundit. Ndroqi ka nënvizuar faktin se më 20 dhjetor në Uashington, flamuri shqiptar do të valëvitet krenar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke uruar njëkohësisht edhe një fitore të Qatos.

Më 20 dhjetor 2008, Kreshnik Qato do të mbrojë titullin e kampionit të botës për peshën e mesme në versionin WBF. Dueli i 30-vjeçarit shqiptar me amerikanin e me origjinë guatemalo-meksikane, David Estrada, do të zhvillohet në kompleksin sportiv "Burr Arena" të Universitetit "Howard" në Uashington D.C. Ky mega-evenimenti, i cili do të ofrojë një mbrëmje të mbushur me spektakël.

Kështu, përveç duelit Qato-Estrada, i cili është edhe sfida më kryesore e mbrëmjes, do të zhvillohen edhe 3 ndeshje të arteve marciale, 3 ndeshje të boksit amator dhe 3 ndeshje të tjera të boksit profesionist. Ndonëse nuk jepet një shifër e saktë, nga pala amerikane mësohet se kostoja e gjithë këtij evenimenti të madh, pritet të kapë shifrën e 500,000 dollarëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›