Bomba e Kukësit në merkato: Starova, drejtori i ri teknik
Presidenti Safet Gjici e ka nisur vrullshëm punën për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm për të qenë pretendente në Superiore
Ofensiva
Starova - Sulejman Starova, një ndër emrat më të njohur të trajningut shqiptar ka vendosur dje të braktisë postin e drejtorit teknik të Teutës për tiu bashkuar projektit të ri e largpamës të Kukësit, pikërisht në sezonin historik si debutues në elitën e futbollit tonë
Futbollistët - Brenda një kohe fare të shkurtër drejtuesit e Kukësit kanë kontaktuar me futbollistë si Alikaj, J. Sefa, Muçollari, ndërsa janë piketuar Gërxho, kosovari Nallbani, (sezonin e fundit në Kosovë me Trepçe 89) si dhe lojtarët e Apolonisë, Meto dhe Ribaj
Esat Rakiqi dhe Avenir Dani kompletojnë stafin teknik
Altin Manallari
E kanë deklaruar prej ditësh që dua një ekip pretendent në Kategorinë Superiore, por pakkush i kishte besuar drejtuesit e Kukësit. Por dje ka ardhur konfirmimi falë një lëvizjeje bombë në merkato: Që nga dita e djeshme, i mirënjohuri Sulejman Starova do të jetë drejtori i ri teknik i skuadrës verilindore. Ish-sekretari i përgjithshëm i FSHF-së dhe ish-trajneri i Tiranës ka vendosur dje të braktisë postin e drejtorit teknik të Teutës për tiu bashkuar projektit të ri e largpamës të Kukësit, pikërisht në sezonin historik, kur do të luajë si debutues në elitën e futbollit shqiptar. Lajmi është konfirmuar nga vetë presidenti Safet Gjici. Kjo lëvizje e kuksianëve vjen menjëherë pas zyrtarizmit të emrit të trajnerit të ri, Armando Cungu. Tashmë edhe ish-drejtori teknik i durrsakëve në sezonin e kaluar (të cilit i ishte ofruar edhe posti i trajnerit të Kukësit), ka pranuar të jetë pjesë e skuadrës së sapongjitur në Superiore. Me afrimin e Starovës duket se presidenca kuksiane ka përmbushur dhe një dëshirë të sajën, për të pasur si pjesë të klubit për sezonin 2012-2013 një emër të njohur të pankinave shqiptare. Me tu emëruar në këtë post, mësohet se ai ka nisur menjëherë punën, që me sa shihet ka si detyrë të gjejë, ti bindë dhe të afrojë futbollistë për Kukësin, ku padyshim fjalën e fundit për anën teknike do ta japë stafi teknik me në krye Armando Cungun. Ofensiva e Kukësit nuk është ndalur këtu. Për Esat Rakiqin u fol, që ditën e djeshme, se do të ulej në tavolinën e bisedimeve me presidentin Safet Gjici dhe ashtu ka ndodhur, duke arritur menjëherë akordin për të qenë pjesë e stafit teknik. Ndonëse afrimi i Rakiqit pritej, një tjetër surprizë mund të konsiderohet ish-trajneri i portierëve të Vllaznisë, Avenir Dani, i cili, edhe ai, që nga mesdita e djeshme, është pjesë e skuadrës verilindore. Për këtë të fundit, Kukësi ka fituar pikërisht konkurrencën e Vllaznisë, duke kompletuar kështu përfundimisht stafin teknik, që do ti ketë zili çdo skuadër. Eksperienca e gjithsecilit prej tyre, duke sjellë edhe shkollën e futbollit shkodran, shto këtu dhe drejtorin teknik, bën që Kukësi për momentin të konsiderohet skuadra më e kompletuar nga ana profesionale sa i takon drejtimit teknik dhe sportiv. Sapo janë mbyllur bisedimet me Starovën, Rakiqin dhe Danin, ditën e djeshme, menjëherë kanë nisur kontaktet e para me lojtarët-kandidatë për të veshur fanellën e Kukësit në sezonin 2012-2013. Madje, ka pasur një dyndje futbollistësh në lokalin që është në pronësi të presidentit kuksian, Safet Gjici, tek Ura e Tabakëve. Brenda një kohe fare të shkurtër aty kanë ndaluar disa nga futbollistët e kontaktuar më parë, ku të gjithë, kanë qenë futbollistë që e kanë mbyllur sezonin e kaluar në Superiore si mesfushorët Enkel Alikaj, Jetmir Sefa dhe Muçollari. Mësohet se me të gjithë është diskutuar parimisht, por me asnjërin prej tyre, dje, nuk janë mbyllur hesapet, duke lënë të hapur dhe një raund të dytë bisedimesh. Të tjetër futbollistë, të piketuar nga presidenca kuksiane, janë kapiteni i Apolonisë Julian Gërxho, ish-lojtari i Vllaznisë, kosovari Ilir Nallbani (sezoni i fundit në Kosovë me Trepçe 89) si dhe lojtarët e Apolonisë, Meto dhe Ribaj. Duke iu referuar gjithnjë burimeve të rezervuara, thuhet se kërkesat ekonomike të disa prej lojtarëve të kontaktuar dje nga presidenti Safet Gjici, kanë qenë më të larta se parashikimet apo se normalet. Gjithsesi, kjo mbetet për tu parë në ditët në vazhdim.
Bomba e Kukësit në merkato: Starova, drejtori i ri teknik burimi: Gazeta Shqip

