Bombardimet e NATO-s në Serbi, Osmani: 24 marsi, dita kur bota e lirë i dha fund genocidit serb

26-vite më parë, NATO nisi sulmet ndaj njësive ushtarake policore në ish-Jugosllavi pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999.
Pas 78-ditësh sulmesh, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor të po atij viti, me marrëveshjen e Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova.
Marrëveshja u pasua nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në bazë të së cilës, në Kosovë u vendos një administrate e cila menaxhoi fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, presidentja Vjosa Osmani tha se sot Kosova vijon krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt një të ardhmeje të ndritur.
“24 marsi, dita kur liria mori krahë! Ishte dita kur bota demokratike nuk heshti! Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës”, tha Osmani.
Zyrtarë të lartë e figura politike përkujtuan gjithashtu 26-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s duke thekesuar se Kosova mbetet mirënjohëse ndaj perëndimit dhe aletëve që ndryshuan rrjedhën e historisë.
/vizionplus.tv