Bonot e thesarit, interesi nis rritjen
Interesat e Bonove të Thesarit rriten përsëri. Në ankandin e zhvilluar këtë javë, norma e ponderuar e interesit për bonot me maturim 12-mujor u rrit në 7.03%, nga 6.88% që ishte në ankandin paraardhës. Rritja e interesave për të dytin ankand radhazi tregon një përmbysje të tendencës rënëse të interesave. Në muajt e fundit, bankat kanë rritur ndjeshëm kredidhënien dhe kjo ka pakësuar sasinë e fondeve të investuara të letrat e borxhit të qeverisë shqiptare. Në ankandin e fundit, numri i ofertave ishte 26, nga të cilat u pranuan 24, për një vlerë totale të bonove të emetuara prej 7.4 miliardë lekësh. Një rritje e lehtë e normës së interesit u regjistrua edhe për bonot me maturim 6-mujor, për të cilat interesi mesatar i ponderuar në ankandin e fundit ishte 6.38%, nga 6.36% që ishte në ankandin e muajit janar. Vlera e bonove të emetuara ishte 5.3 miliardë lekë, ndërkohë që oferta për financim arrinte në 5.7 miliardë lekë.