E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurrenca: Bankat abuzojnë me klientët

SHKRUAN: Sabina Veizaj 18-02-2011 11:04

Shërbimet bankare në Shqipëri rezultojnë jo transparente, aplikojnë tarifa të ndryshme për të njëjtin shërbim dhe nuk informojnë klientët për ndryshimet që bëjnë për kushtet e punës. Këto janë disa nga rezultatet që Autoriteti i Konkurrencës ka nxjerrë pas një monitorimi gati njëvjeçar të bankave tregtare në vend. Qëllimi i monitorimit ka qenë vlerësimi i sjelljes së bankave të nivelit të dytë, në lidhje me transparencën për klientët, si dhe krahasimin e tarifave të shërbimeve bankare në Shqipëri me bankat homologe në rajon. Në këtë mënyrë, sipas raportit të Autoritetit të Konkurrencës, në bankat tregtare është vënë re mungesë e transparencës, e cila reflektohet në mungesën e elasticitetit të kërkesës për shërbimet bankare dhe në këto kushte bëhet e vështirë analiza e shkallës së konkurrencës efektive, midis operatorëve të këtij tregu. Gjithashtu, nga raporti në fjalë del se bankat e nivelit të dytë aplikojnë kryesisht tarifa të ndryshme për të njëjtin shërbim. Ndërsa për disa nga shërbimet, si p.sh llogaritë rrjedhëse dhe çeqet, aplikojnë komisione në euro dhe jo në monedhë vendase, duke i vendosur konsumatorët përballë riskut të kursit të këmbimit. Raporti citon se, nga vlerësimi i treguesve të transparencës, u konstatua se jo të gjitha bankat e nivelit të dytë kanë faqe interneti dhe si rrjedhojë nuk kanë të publikuara kushtet e punës në gjuhën shqipe. Autoriteti i Konkurrencës gjykon se megjithëse disa janë degë të bankave të huaja, për sa kohë veprojnë në territorin gjeografik të Republikës së Shqipërisë, duhet t’i informojnë klientët në gjuhën shqipe. Nga monitorimi është vënë re se në disa raste, bankat nuk i njoftojnë klientët, kur ndryshojnë kushtet e punës për kontratat e shërbimeve, në mënyrë të veçantë kur rriten komisionet e llogarive rrjedhëse, apo kartave të debitit/kreditit, duke mos zbatuar në këtë mënyrë rregulloren nr. 59, datë 29.08.2008 “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”. Duke bërë një qasje krahasuese me tarifat e shërbimeve me bankat e rajonit, nga raporti rezulton se brenda të njëjtit Grup Bankar, bankat që operojnë në Shqipëri aplikojnë tarifa më të larta të shërbimeve bankare (si komisioni për mbyllje llogarie rrjedhëse, mirëmbajtje llogarie, kartat plastike) sesa bankat homologe në rajon, duke vështirësuar përfitimin e këtyre shërbimeve nga klientët dhe mundësinë e ndërrimit të bankës. Pas rezultateve të monitorimit, gati njëvjeçar, Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës mori vendimin për t’i rekomanduar Bankës së Shqipërisë, të përmirësojë instrumentet për të forcuar zbatimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor për transparencën e bankave të nivelit të dytë, në mënyrë të veçantë në rastet kur bankat rrisin në mënyrë të njëanshme dhe pa njoftuar tarifat e shërbimeve për klientët. Gjithashtu, të marrë masa për rritjen e transparencës së bankave të nivelit të dytë, për produktet dhe shërbimet bankare dhe financiare, nëpërmjet vendosjes së detyrimit për krijimin dhe përditësimin e informacionit në faqet e internetit të bankave të nivelit të dytë, në lidhje me publikimin e kushteve të punës. Në të njëjtën kohë i rekomandon Komisionit të Mbrojtjes Konsumatore, propozimin e nismës ligjore për ngritjen e një strukture të veçantë (Ombdusman), për mbrojtjen e konsumatorëve nga abuzimet e mundshme të sistemit bankar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›