E Martë, 3 Nëntor 2026

“Bonusi i Rijetësimit” aplikohet prej dy vitesh, në Shkodër 6 aplikime fituese në 2023

Për të dytin vit me radhë Ministria e Kulturës po aplikon Bonusin e Rijetësimit, një program që i vjen në ndihmë monumenteve dhe pasurive kulturore sa i përket mirëmbajtjes, rimëkëmbjes dhe rijetësimit të tyre.

Nga Shkodra ka pasur 21 aplikime gjithsej përgjatë këtyre dy viteve, ndërsa këtë vit 5 objekte janë shpallur fituese nga skema A për mirëmbajtje dhe konservim dhe 1 nga skema B që përfshin restaurimin dhe rijetësimin.

“Një nga objektet që ka përfituar nga skema B ndodhet në bashkinë e Hasit, në qarkun e Kukësit. Ndërsa për Shkodrën, vjet nga 14 projekte të aplikuara, kemi 5 fitues,” thotë Besara Podgorica, drejtuese e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër.

Bonusi i Rijetësimit ka pasur një impakt pozitiv në nxitjen e zhvillimit të zonës ku është implementuar.

“Implementimi i Bonusit të Rijetësimit rezultoi mjaft i suksesshëm, ku falë mbështetjes me grante, pronarët të cilët ndodhen në qendrën historike ofrojnë shërbime hotelerie,” shton znjsh. Podgorica.

Aktualisht në Shkodër 4 projekte mund të konsiderohen të përfunduara me sukses.

“Prej këtyre kemi dy që ofrojnë shërbimin e hotelerisë, por së shpejti edhe shërbimin e restorantit dhe të një galerie të vogël të artizanatit të punimeve me filigran,” shpjegon drejtuesja e DRTK-së.

Programi i Bonusit të Rijetësimit në vitin e dytë ka pasur një fond 50% më të lartë se vitin e kaluar. Përfituese mund të jenë objektet që bëjnë pjesë në qendrat historike, ansamblet dhe lagjet brenda mureve të kalasë.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›