E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora mbulon Shkodrën, probleme të shumta në qarkullim

SHKODËR- Për të tretën herë brenda pak ditëve, qyteti i Shkodrës është mbuluar nga dëbora, e cila ka shkaktuar vështirësi të shumta për qytetarët dhe automjetet.

Duket se këto të fundit, të cilat filluan që në orët e mbrëmjes të së premtes dhe që vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në orët e para të mëngjesit, janë më të mëdha nga ato të mëparshmet.

Të frikshme e bëjnë situatën në një farë mënyre edhe bubullimat e shumta, që dëgjohen në sfond, që sipas të moshuarve ka vite që nuk dëgjohen të tilla gjatë rënies së dëborës.

Sipas tyre, nëse kjo situatë do të vijojë të jetë e tillë, ka shumë mundësi që t’ia kalojë edhe vitit 1985, periudhë e cila mbahet mend si më e vështira e viteve të fundit për qytetin e Shkodrës.

Në të tilla kushte, kur përveç trashësisë së dëborës janë shfaqur edhe shtresat e akullit, qarkullimi në akset rrugore paraqitet e vështirë.

Drejtuesit e automjeteve, por edhe vetë qytetarët, të cilët përpiqen të lëvizin për nevoja personale, shfaqen të pakënaqur nga mosndërhyrja në kohë e mjeteve të bashkisë, ku në ndryshim nga dy radhët e mëparshme, këtë herë ato akoma nuk janë parë të ndërhynë në normalizimin e situatës.

Të paktën deri në ora 09.00 të mëngjesit të së shtunës, asnjë nga strukturat e grupit të emergjencës së bashkisë nuk është parë të ndërhyjë në akset rrugore të qytetit, kur një gjë e tillë mund të kishte qënë fare mirë edhe gjatë orëve të natës për të mos e lënë krijimin e shtresave të akullit, që tashmë janë bërë shqetësim serioz, jo vetem për automjetet, por edhe për këmbësorët në trotuare.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›