Bora nis të bjerë edhe në Tiranë, ndërkohë që disa komuna në Veri izolohen prej saj
Lizeta Duro
Pas ditëve të lagështa dhe me shi, në mesditën e djeshme, edhe pse për vetëm disa minuta, bora ka nisur të bjerë edhe në Tiranë. Reshjet e borës krijuan atmosferë në kryeqytet, duke qenë një dukuri e rrallë për Tiranën. Ato zgjatën vetëm pak dhe u shkrinë në moment, pa mundur të shtrojnë petkun e bardhë karakteristik. Temperatura më e ulët në Tiranë arriti deri në minus 2 gradë celsius, ndërsa më e larta ishte 5 gradë celsius. Por, nëse në Tiranë reshjet e borës u panë si diçka e bukur dhe për herë të parë këtë vit, në disa komuna, sidomos në veri të vendit, ajo ka izoluar banorët dhe kanë bllokuar qarkullimin në rrugët kombëtare dhe rurale. Sipas meteorologëve kjo situatë do të vije duke u rënduar pasi parashikohet që temperaturat do të vazhdojnë të ulen ndjeshëm, ndërsa do të ritet edhe intensiteti i reshjeve të borës në zonat malore.
Ministria
Ministria e Transporteve, lidhur me gjendjen e rrugëve për shkak të borës që ka rënë dhe vazhdon të bjerë, njoftoi se në qytetet e Kukësit dhe të Pukës ka pasur reshje dëbore në Qafë-Mali, Fushë-Arrëz e Pukë. Është punuar gjatë gjithë natës dhe vazhdon puna për të pasur një trafik normal. Qarkullimi i mjeteve kryhet pa probleme. Në aksin rrugor Qafë-Mali – Kukës, në Qafë-Shllak, lëvizja e mjeteve kryhet pa probleme. Është punuar gjatë gjithë kohës me mjete borëpastruese dhe kripë e skorie. Në aksin rrugor Kukës – Shishtavec, në 10 km e fundit, nga Topojani – Shishtavec ka prezencë akulli, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Në Peshkopi, në aksin nacional Bulqizë – Peshkopi, segmenti Qafë-Dushk – Qafë-Bualli – Ura e Cerenecit, rrugët janë mbuluar nga akulli dhe qarkullimi kryhet vetëm me zinxhirë për shkak vështirësive. Segmenti rrugor Qafë-Dragalica – Stebleve, në aksin Ura e Cerenecit – Stebleve, është bllokuar dhe është i pakalueshëm për shkak të dëborës. E njëjta gjë ndodh edhe në aksin rrugor Peshkopi – Ura e Skurajve, qarkullimi këtu është tejet i vështirë, gjithashtu dhe lëvizja e makinave për shkak të pranisë së akullit mund të kryhet vetëm me zinxhirë. Zinxhirë po ashtu duhet të përdoren në aksin rrugor Librazhd – Steblevë, sepse edhe këtu ka probleme në qarkullim për shkak të akullit. Për shkak të trashësisë së madhe të borës, ngricës dhe reshjeve që vazhdojnë të bien edhe në pjesën më të madhe të aksit Kthesë Labinot Fushë – Monument Bizë, rruga është e bllokuar. Ndërsa në jug dhe juglindje të vendit, sipas Ministrisë së Transporteve, situata paraqitet e vështirë në të gjitha akset rrugore të rrethit të Korçës. Probleme janë hasur edhe në aksin Qaf Llogara – Vlorë ku rruga është bllokuar për disa orë si dhe në disa rrugë rurale në rrethin e Përmetit dhe të Ersekës. Ministria e Transportit pohon se janë marrë masat për të siguruar një qarkullim të mjeteve pa probleme në këto zona.
Tabela me akset rrugore që paraqesin probleme në qarkullim
Akset Qarkullimi
Qafë Mali – Kukës Nuk ka probleme
Kukës – Shishtavec dhe Topojani – Shishtavec Qarkullimi kryhet me zinxhirë
Bulqizë – Peshkopi, Qafë Dushk – Qafë Bualli – Ura e Cerenecit Qarkullimi është i bllokuar dhe po punohet për lëvizjen e mjeteve
Qafë Dushk – Qafë Bualli – Ura e Cerenecit Për shkak të trashësisë së madhe të borës dhe akullit qarkullimi është i bllokuar
Peshkopi – Ura e Skurajve Qarkullimi është i vështirë dhe lëvizja kryhet vetëm me zinxhirë
Librazhd – Steblevë Qarkullimi kryhet me zinxhirë
Kthesë Labinot Fushë – Monument Bize Ky aks është i bllokuar për shkak të borës dhe pranisë së akullit
Masat
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit njoftoi dje se situata në disa akse rrugore paraqitet me probleme, por, sipas tyre, punohet vazhdimisht për mbajtjen nën kontroll të situatës dhe zhbllokimin e rrugëve në ato zona ku trashësia e borës është e lartë dhe akulli krijon probleme në qarkullim. Burimet nga Ministria tregojnë se deri në mesditë, shumica e segmenteve kanë qenë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale Rrugore janë në gatishmëri të plotë dhe po punojnë në terren me mjete borëpastruese, fadroma dhe duke përdorur kripë dhe skorie për normalizimin e gjendjes dhe përmirësimin e situatës aty ku rrugët janë bërë të pakalueshme për shkak të bllokimit nga bora dhe ngricat.
Ministria e Shëndetësisë organizon seminar për shëndetin dhe asistencën mjekësore në punë
Shëndeti dhe mjekësia në punë është tema e një seminari treditor që po zhvillohet në Institutin e Shëndetit Publik përmes një bashkëpunimi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në trajnim marrin pjesë inspektorë të të gjitha Drejtorive të Shëndetit Publik, të cilët mbulojnë shëndetin në punë, mjekë të Ministrisë së Punës dhe të ndërmarrjeve private, si dhe ndihmësmjekë të Drejtorisë së Shëndetit Publik, të cilët do të jenë trajnuesit e specialistëve në qarqe. Pra motivi dhe temat kryesore që po trajtohen në seminar janë: 1. Shëndeti në punë dhe zbatimi në përgjegjësi të ekspertëve të ISHP-së. 2. Mjekësia në punë që ka të bëjë me zbatimin e sistemit, në përgjegjësi të Katedrës së Shëndetit Publik. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë fjalës së tij në nisjen e këtij trajnimi tha se shëndeti në punë qëndron në krye të listës së problematikave të shëndetit publik. “Shumica e rasteve së sëmundshmërisë në punë, janë mjaft komplekse nëse merren parasysh mundësitë e mbivendosjes së disa sëmundjeve njëherësh duke bërë që sistemi të ketë kosto të larta. Problematika e shëndetit në punë është e veçantë dhe e rëndësishme sepse është shtresa më aktive e popullsisë që preket ndërsa vlerësoi se lënia pas dore e bën mjaft të vështirë rikuperimin e plotë të pacientit” u shpreh ministri Vasili. Ministri i Shëndetësisë ka theksuar se duhet punuar në drejtim të përsosjes së legjislacionit për sistemin shëndetësor në punë. Problematikat më të mëdha që synon të parandalojë kujdesi i shëndetit në punë janë: Sëmundjet e skeletikës muskolare, sëmundjet e lëkurës (dermatoza, silikoza, asbestoza), alergjitë nga kimikatet si dhe depresioni.
15 Dhjetor 2010