Dekreti: Italia ofron 80 mijë vende pune për shqiptarët
Anilejda Shëmbitraku
Një mundësi më shumë për shqiptarët pas liberalizimit të vizave: Italia hap sërish dyert për punonjësit e huaj. Pas një bllokimi dyvjeçar mbërrin dekreti i ri i flukseve që do të autorizojë hyrjen e rreth 80 mijë punonjësve. Rreth 50 mijë vende janë rezervuar për punonjësit e varur, në të gjithë sektorët, nga vendet që kanë marrëveshje me Italinë (Shqipëria, Algjeria, Bangladeshi, Egjipti, Filipinet, Gana, Maroku, Moldavia, Nigeria, Pakistani, Senegali, Somalia, Sri Lanka dhe Tunizia). 30 mijë vende janë rezervuar për punonjësit shtëpiakë (bashkëpunëtorë shtëpiakë, kujdestarë për të moshuar dhe fëmijë), pa kufizim kombësie. Dekreti parashikon edhe konvertimin e leje-qëndrimeve për studim në leje-qëndrime për punë.
Procedura
Edhe këtë herë punëdhënësit mund ta paraqesin kërkesën vetëm nëpërmjet Internetit dhe prenotimet mund të bëhen derisa të ketë vende, duke u renditur sipas kohës së paraqitjes së kërkesës. Pra, një i ashtuquajtur “click day”, në program, në shkurt të vitit 2011, kur edhe një herë do të fitojnë më të shpejtët dhe ata më me fat, duke lënë jashtë pjesën më të madhe të ndërmarrjeve dhe familjeve që do të marrin pjesë në këtë garë. Qeveria italiane nuk do ta pohojë kurrë, por ky është një lëshim i vogël, i pamjaftueshëm, ndaj atyre që kërkonin një pajisje të përgjithshme me dokumente qëndrimi. Edhe pse mes mijëra vështirësive, kush ndodhet në Itali pa leje-qëndrimi dhe ka një kërkesë për punësim që hyn në kuotën e flukseve, mund të kthehet në atdhe dhe të vijë sërish në Itali i pajisur me një vizë të rregullt për punë.
Dekreti
Me këtë dekret Italia përcakton çdo vit kuotat e emigrantëve, të cilët mund të hyjnë në Itali për motive punësimi. Në fakt, ashtu siç janë të vetëdijshëm si emigrantët, ashtu dhe punëdhënësit, ky dekret është e vetmja zgjidhje për kalimin nga ilegaliteti në ligjshmëri. Megjithëse duket një mundësi e artë për të gjithë shqiptarët, veçanërisht tani, me liberalizimin e vizave, aplikimi nuk është i thjeshtë: duhet të bësh një kërkesë për punësim, të dalësh nga Italia me “nulla osta” dhe duhet të rikthehesh brenda shtetit të Italisë me një leje-qëndrimi. Gjithnjë nëse në kufi emigrantëve nuk iu dorëzohet një letër ku lajmërohen për përjashtimin e tyre nga shteti. Në krahasim me vendet e punës që ofrohen, kërkesat janë gjithnjë disa qindra më shumë. Për shembull, në vitin 2007, nga 170 mijë kuotat përcaktuara, u bënë 740 mijë kërkesa për punësim nga ana e emigrantëve.
Koha e dorëzimit
Kërkesat do të dorëzohen 15 ditë pas daljes së dekretit në Fletoren Zyrtare (FZ).
1- Duke nisur 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, për kërkesat e bëra nga punonjësit e vendeve që kanë nënshkruar marrëveshje të veçanta bashkëpunimi në fushën e migrimit legal.
2- Duke nisur 18 ditë pas botimit të dekretit në Fletoren Zyrtare, për kërkesat e bëra nga punëtorët shtëpiakë dhe ata që janë për asistentë të të moshuarve apo personave të paaftë.
3- Duke nisur 21 ditë pas publikimit të dekretit në Fletoren Zyrtare, për të gjitha kërkesat e punëtorëve që përfshihen në kategoritë e tjera, përjashtuar të mësipërmet.
Dekreti 2011
Të rejat dhe mundësitë që përcillen
Krahasuar me vitet e mëparshme, këtë vit Italia nuk është treguar shumë “zemërgjerë” me pranimet që do të bëjë. Janë vetëm 80 mijë kuota, nga këto 30 mijë vende do të jenë të rezervuara për kujdestarët dhe muratorët, ndërsa 50 mijë vende pune do të jenë të rezervuara për të gjitha kategoritë e tjera. Një tjetër ndryshim është ai i kthimit të lejeve të punësimit në leje-qëndrimi, do të bëhen rreth 6 mijë transferime të tilla. Edhe këtë vit e gjithë procedura do të jetë online. Ajo që është quajtur “click day”, ose dita e aplikimit do të nisë më shkurt të 2011-shit. Dekreti i ri ka fituar dhe pëlqimin e shoqërive të ndryshme. “Është pa diskutim një ide shumë e mirë”, ka deklaruar për median italiane presidenti i një shoqërie shumë të madhe prodhimi në Itali. Sipas tij, ky dekret tregon domosdoshmërinë e emigrantëve për zhvillimin e vendit.
15 Dhjetor 2010