E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora paralizon akset nacionale

Ulja e temperaturave dhe reshjet e dëborës kanë nisur të sjellin bllokimet e rrugëve nacionale.

Kështu, raportohet se rruga Gjirokastër-Sarandë është bllokuar në Qafën e Muzinës për shkak të trashësisë së dëborës që ka arritur në një metër e gjysmë.

Aktualisht në këtë rrugë ndodhen dhjetra mjete të bllokuara, në pamundësi për të lëvizur. Drejtoria e rrugëve po punon për hapjen e akseve dhe kalimin e automjeteve.

Ndërkohë raportohet se në qarkun e Gjirokastrës dhe disa komuna në Përmet janë bllokuar. Probleme me bllokimin e komunave në zonën malore ka edhe në Korcë, ku kryesisht zonat e Malësisë së Oparit janë bllokuar nga dëbora.

Në Elbasan mbeten të bllokuara akset që lidhin fshatrat Dorës-Qarishtë, Gjinar-Zavalinë, si dhe aksi Qafë Rrenëz-Shmil i paralizuar prej dy ditësh, ndërsa akset e tjera kryesore nuk kanë probleme me qarkullimin.

Edhe në Librazhd bora ka krijuar probleme në lëvizje, por akset raportohet se kanë qenë të hapura. Në pjesën tjetër të vendit raportohet se akulli në rrugë ka krijuar rrezikshmëri në lëvizjen e mjeteve në disa zona të larta si në Dibër, Kukës, Tropojë e Malësi të Madhe.

Sipas parashikimeve të meteorologëve, temperatura edhe më të ulëta na presin gjatë ditës së enjte. Termometri do të zbresë me 2-3 gradë Celsius të tjera në zonat bregdetare dhe ato të ulëta, ndërkohë që më e ndjeshme do të jetë zbritja në zonat malore.

Ndërsa reshjet e dëborës do të vazhdojnë dhe ato pritet të jenë më intensive në 24 orët e ardhshme. Gjithashtu, reshjet e shiut do të rikthehen sërish në orët e pasdites të së dielës, ndërkohë që fillimi i javës do të na sjellë rritje graduale të temperaturave.

Për shkak të kushteve të rënduara të motit një aksident fatal u regjistrua në orët e mbrëmjes së të mërkurës në qarkun e Dibrës, ku një person humbi jetën.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›