E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bordi i Paqes” të enjten në Davos/ Macron kundër, Trump e kërcënon

“Bordi i Paqes” i Donald Trump pritet të jetë në qendër të vëmendjes edhe në samitin e Davosit në Zvicër.

Presidenti amerikan synon që të enjtën e 22 janarit të nënshkruhet statuti dhe mandati i plotë i strukturës ndërkombëtare.

Në një ftesë thuhet se ceremonia do të mbahet gjate samitit ekonomik, ndërsa në një dokument tjetër theksohet se Trump do të jetë në krye të bordit dhe një pasardhës mund të zgjidhet vetëm nëse presidenti amerikan largohet vullnetarisht.

Ftesa për pjesëmarrje në këtë mekanizëm të madh ndërkombëtar u ka shkuar shumë shteteve, mes tyre edhe Shqiëpria. Megjithatë duket se jo të gjithë janë gati të pranojnë.

LEXO EDHE: Rama i përgjigjet ftesës së Trump për Bordin e Paqes: Privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time për…

Më herët u raportua në media se Emmanuel Macron kishte kundërshtuar pjesëmarrjen e Francës në Bordin e Paqes.

Mirëpo kur u pyet nga gazetarët, Donald Trump dha një mesazh të qartë për homologun e tij francez.

“Askush nuk e do Macron sepse ai do të largohet nga detyra shumë shpejt, kështu që nuk ka shumë rëndësi. Do të vendos një tarifë prej 200% për verërat dhe shampanjat e tij dhe ai do të bashkohet, por nuk është I detyruar.  Siç e dini, ai do të largohet nga detyra pas disa muajsh”, u shpreh Trump. 

Ftesa e Donald Trump për “Bordin e Paqes” është kundërshtuar edhe nga krerë të tjerë shtetesh, ku ndër të tjera thuhet se kjo nismë shkel kartën e OKB-së.

Trump ka qenë një kritik i vazhdueshëm i Kombeve të Bashkuara dhe së fundmi ka njoftuar tërheqjen e SHBA-së nga 66 organizata dhe traktate ndërkombëtare, gjysma e të cilave lidhen me OKB-në.

Kujtojmë se, anëtarësimi në Bord do të jetë i kufizuar vetëm për shtetet e ftuara nga kryetari, ndërsa Trump do të ketë të drejtën edhe të përjashtojë vende anëtare, përveç rasteve kur dy të tretat e anëtarëve vendosin veto.

Nga ajo çfarë dihet deri tani, Trump ka emëruar si anëtarë të “Bordit të Paqes” Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, ish-kryeministrin britanik Tony Blair, negociatorin Steve Witkoff dhe dhëndrin e tij, Jared Kushner.

Ndërkohë, Izraeli ka shprehur kundërshtime ndaj përbërjes së “bordit ekzekutiv për Gazën”, i cili përfshin ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, dhe diplomatin nga Katari, Ali Al-Thawadi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›