Bordi i Transparencës: Çmimi i naftës jo më shumë se 219 lekë/litër, benzina 196 lekë/litër

TIRANË, 13 tetor /ATSH Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja të shitjes me pakicë dhe shumicë të karburanteve, të cilat hyjnë në fuqi sot, më 13 tetor, në orën 14:00.
Sipas vendimit të Bordit, çmimi i shitjes me pakicë i naftës (gazoil), sipas standardit SSH EN 590, nuk do të jetë më shumë se 219 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë do të jetë jo më shumë se 207 lekë për litër.
Për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë nuk do të kalojë 196 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë do të jetë jo më shumë se 184 lekë për litër.
Çmimet e përcaktuara do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të rishikohen në varësi të ndryshimeve të çmimeve të shitjes.
Bordi i Transparencës u mblodh në mbështetje të vendimit të Këshillit të Ministrave për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve dhe të kuadrit ligjor për tregtimin e nënprodukteve të naftës.
Në njoftim, operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë u është rikujtuar detyrimi për zbatimin e çmimeve të përcaktuara. Për shkeljet e konstatuara, sipas Bordit, mund të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëjnë të ditur se janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.
/e.xh/j.p/r.e/