Borxhi, BSH e shqetësuar

“Duke ndjekur me vëmendje ecurinë aktuale dhe të pritshme ekonomike, si dhe duke vlerësuar me shqetësim implikimet e saj për treguesit fiskalë, Banka e Shqipërisë gjykon se politika fiskale duhet të bëjë kujdes për kontrollin e nivelit të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik. Mbajtja e deficitit buxhetor në parametra të shëndetshëm do të rrisë besimin në qëndrueshmërinë afatgjatë të borxhit publik”, ka deklaruar guvernatori Ardian Fullani.
Banka e Shqipërisë vëren presion në treg nga qeveria për shkak të rritjes së kërkesës për borxh. Guvernatori Fullani tha se ritmi i lartë i huamarrjes së qeverisë ndikon direkt tek biznesi privat.
“Ulja e presionit në tregjet e brendshme financiare do të ndihmojë në kontrollin e normave afatgjata të interesit, duke lehtësuar aksesin e sektorit privat në tregun e kredisë. Banka e Shqipërisë mbetet e mendimit se huamarrja duhet të orientohet në tregjet jashtë, për t’i lënë hapësirën e nevojshme tregut shqiptar për kreditim”, ka nënvizuar Fullani.
Në deklaratën e sotme Këshilli Mbikëqyrës vendosi ta mbajë të pandryshuar normën e interesit. Pak kohë më parë, ministri i Financave Ridvan Bode kërkoi nga banka qëndore që të jetë më elastike në politikat e saj për të ulur kostot e kredive.