E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhi i jashtëm rritje 4.2% në tre muaj

TIRANE-Në fund të vitit 2009, borxhi i jashtëm afatgjatë i Shqipërisë llogaritej në afro 1.94 miliardë euro. Gazeta Shqiptare zbulon se brenda 90 ditëve, nga 1 janari 2010, deri më 31 mars të po këtij viti, sasia e këtij borxhi ka kaluar në afro 2.02 miliardë euro. Kështu, në tre muaj detyrimet afatgjata të vendit kanë shënuar një rritje në masën 4.2 për qind. Kjo del nga statistikat e borxhit të Ministrisë së Financave. Me sa duket, brenda apo jashtë vendit, gjithnjë e më shumë politika financiare e qeverisë po orientohet në marrjen e huave për të zgjidhur problemet, të cilat normalisht duhej të zgjidheshin me fonde, që burojnë kryesisht nga të ardhurat fiskale. Por, sic thekson Gazeta Shqiptare ne numrine sotem, në mungesë të grumbullimit të sasisë së planifikuar nga taksat, e vetmja rrugë për të siguruar fondet aktualisht mbetet ajo e borxhit. Një rrugë e tillë është krejtësisht e ligjshme dhe çdo qeveri, në ekonominë e tregut, është e lirë të bëjë llogaritë e veta në këtë drejtim. Problemi i vetëm që lind në këtë mes është ai i kostos-shtesë, që vjen nga marrja e parave hua, të cilat nuk t’i fal njeri.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›