"Ekipi holandez mëzhgënjeu me lojën e tij"
TIRANE-Enkelejd Alibeaj, i zhveshur nga kostumi i politikës dhe i veshur sportiv, ka folur dje për futbollin. Emisioni i djeshëm në 'News24', "Botërori ndryshe", veç specialistëve të këtij sporti pati në studio edhe ish-ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe aktoren Erjona Kakeli. Para gazetarëve Denis Minga dhe Eneida Xhelili, ata rrëfyen lidhjen e tyre me këtë sport, që këto ditë është edhe më i ndjekuri. Alibeaj, i veshur me xhinse e me bluzë rozë, foli për marrëdhënien e Zidane me Materacin, kur këta të dy u ofenduan në fushë. Mbi këtë, ish-ministri tha se futbolli ka edhe situata të tilla të pakëndshme. Më tej Kakeli, e veshur me bluzën e Holandës, tha se ishte rritur me tifozë të kësaj skuadre, meqenëse i ati është një prej tyre. Ish-ministri i Drejtësisë, duke folur për fitoren e Gjermanisë ditën e diel kundrejt Australisë, tha se kjo skuadër fitoi me një lojë të pastër. "Ajo ka lojtarë të rinj dhe kjo përbën avantazh". Sa i takon lojës së djeshme të Holandës, ai dukej i zhgënjyer. "Jemi mësuar ta shohim ekipin e këtij vendi të bëjë lojë, e sot nuk e pashë. Ajo gjithnjë jepte emocione, e sot m'u duk sikur për Holandën ka rëndësi vetëm të marrë pjesë në Botëror, e jo të fitojë. Zakonisht loja e saj shihet e njihet mirë, e këtë s'e bëra dot sot", - tha ai. Ndërsa për Italinë, u shpreh se këtë vit i mungon konkurrenca mes lojtarëve të saj. "Lojtarët e ekipit italian janë pak më lart se niveli anonim. E ndjej se në këtë Botëror, kjo skuadër do t'i mbajë tifozët në tension dhe do të ketë 'dramë' në çdo ndeshje. Italianët janë romantikë, duan të vuajnë për të fituar". Ai u shpreh se i trembet lojtarëve latino-amerikanë, se janë të mobilizuar dhe luftojnë për të fituar. Emisioni "Botërori Ndryshe" do të jetë çdo ditë në ekranin e 'News24', nga ora 18:30 deri në orën 20:00, me të ftuar që do të flasin për futbollin gjatë gjithë kampionatit.
(d.b/GSH/News24/BalkanWeb)
(d.b/GSH/News24/BalkanWeb)