Borxhi publik dhe ecuria në vite

Duket sikur kaloi pa u vënë re treguesi i borxhit publik të Shqipërisë i rregjistruar në fund të vitit të kaluar. Në një veprimtari ndërkombëtare të organizuar nga FMN dhe BB u vu në dukje pikërisht fakti që nuk kishte ndodhur prej 11 vitesh.
Ervin Mete, Ministër i Financave tha se: “Kemi pasur një ecuri të mirë të ekonomisë, punësimit, të ardhurave dhe investimeve të huaja. Standard and Poor’s në fund të vitit të kaluar rishikoi perspektivën e Shqipërisë nga e qëndrueshme në pozitive. Borxhi publik jo vetëm zbriti në nivelet e para krizave, por arriti nën 60% për herë të parë që nga viti 2011, duke shënuar një nivel prej 59.2% në fund të vitit 2023, sipas vlerësimeve më të fundit, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet që kanë ulur me ritmin më të shpejtë borxhin publik në rajon” tha ministri Mete.
Ministria e Financave kishte synuar konsolidimin fiskal dhe parashikoi që vitin 2024 borxhi publik të zbriste nën nivelin 60% të PBB-së, për herë të parë që nga viti 2011. Por shifra u arrit brenda vitit 2023, duke shfaqur kujdesin e qeverisë shqiptare për këtë tregues, si një nga parakushtet themelore të avancimit me negociatat drejt BE-së.
Sikurse vihet re edhe nga grafikët, edhe pse borxhi publik është në rritje, raporti i tij me prodhimin e përgjithshëm të brendshëm u karakterizua nga një ecuri pozitive, duke qenë në përputhje me objektivat makro-fiskalë, buxhetin e planifikuar dhe objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit.
Vlerësim për këtë realitet ka bërë këto ditë edhe drejtori i Bankës Botërore për Shqipërinë, Matteo Bugamelli. “Shqipëria është një vend kyç në konstituencën tonë dhe ka dhënë kontributin e vet në cilësinë e një vendi që është huamarrës… Është një vend me të ardhura mesatare dhe është perfekt për ta pasur të tillë. Duke parë drejt të ardhmes ne do të vazhdojmë të kemi një dialog të vazhdueshëm për prioritetet e financimit si dhe për shpejtësinë dhe cilësinë e rezultateve dhe rritjen e ndikimit që ka” tha zoti Bugamelli.
Borxhi aktualisht përbëhet nga borxhi i brendshëm, i cili zë 53.9% të totalit të borxhit dhe borxhi i jashtëm, i cili zë 46.1% të tij.
Pas disa viteve sfiduese 2019-2022, viti 2023 shënoi përmirësime përsa i përket treguesve të borxhit publik dhe realizimit të huamarrjes. Synohet ulja e mëtejshme e tij në periudhën afatmesme, në linjë me strategjinë afatmesme të menaxhimit të borxhit.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi
/ rtsh.al /