E Martë, 3 Nëntor 2026

Investimet e SHBA po rriten çdo vit, më i madhi Hidrocentrali i Skavicës

Shqipëria dhe Amerika vijojnë të forcojnë marrëdhëniet e tyre tregtare. Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet amerikane në vendin tonë kanë pësuar rritje vitet e fundit, megjithatë kjo shifër konsiderohet nën potencial.

Një nga financimet më të mëdha është Skavica. Bechtel, kompania më e madhe e ndërtimit në SHBA, është kontraktuar nga Qeveria shqiptare për të kryer studime dhe për të bërë propozime për digën e Skavicës.

Projekti pritet që ta kthejë Shqipërinë në eksportuesen më të madhe neto të energjisë në rajon.

Investimet amerikane në Shqipëri kanë shënuar rritje edhe gjatë vitit 2023.

Sipas të dhënave zyrtare, investitori i pestë më i madh për vitin 2023 është SHBA, me një fluks investimesh prej më shumë se 50 milionë euro, që është 17.5 përqind më shumë krahasuar me një viti më parë, ose 259 milionë euro.

Investimet amerikane janë të përqendruara kryesisht në sektor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, si energjetikë, gazi të lëngshëm natyror, sistem financiar etj.

Dhoma Amerikane e Tregtisë, ka bërë të ditur se, në krahasim me vendet e rajonit – Shqipëria mbetet ende pas, por me potencialin më të lartë për t’u ngjitur në krye të rajonit, nëse klima e biznesit transformohet në një mjedis tërheqës me rregulla tregu për bizneset e investimet.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka të anëtarësuar rreth 250 kompani, me të ardhura vjetore deri në 3 miliardë dollarë, të cilat kanë të punësuar afro 4 mijë punonjës.

Ndërsa kanë shënuar rritjen më të shpejtë në 4-5 vitet e fundit, investimet amerikane në Shqipëri janë ndër më të ulëtat në Ballkanin Perëndimor.

Sipas të njëjtit burim, investimet amerikane në Serbi janë 1.5 miliardë, ose 7.5 herë më të larta.

Për Shqipërinë, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte u rrit në vitin 2023, duke kaluar vlerën e më shumë se 1,1 miliardë eurove vetëm për 9 muaj.

Këta tregues pozitivë ekonomikë pasqyrojnë përpjekjet e Shqipërisë në tërheqjen e investimeve të huaja dhe stabilizimin e ekonomisë së saj, duke ruajtur një rritje të qëndrueshme dhe duke përmirësuar marrëdhëniet e saj tregtare me jashtë.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›