E Martë, 3 Nëntor 2026

Bosnjë-Hercegovinë/ Prokuroria i ngre akuzë presidentit Dodik

Presidentit i Republikës Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë, Millorad Dodik, pritet të përballet zyrtarisht me ligjin për mosbindje ndaj vendimeve të përfaqësuesit të lartë të vendit, Christian Schmidt.

Zyra e Prokurorit e Bosnjës dhe Hercegovinës ngriti akuzë kundër presidentit të entitetit serb si edhe kundër drejtorit të gazetës zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Lukiq.

Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës i konfirmoi të premten Radios Evropa e Lirë se kishte marrë kërkesë për konfirmimin e aktakuzës kundër Dodikut dhe Lukiqit.

Akuza vjen pas publikimit të dekretit presidencial në gazetën zyrtare të Republikës Sërpska, i cili nënvizonte se vendimet e përfaqësuesit të lartë as nuk do të publikohen, as nuk do të respektohen në territorin serb të Bosnjës, si edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës nuk do të vlejnë në territorin e Republikës Sërpska.

Në korrik, Schmidt i anuloi ligjet e mësipërme që bien ndesh me marrëveshjen e Dejtonit dhe që u miratuan nga Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska.

Schmidt gjithashtu mori vendosi të ndryshojë Kodin Penal të vendit në mënyrë që veprimet kundër rendit kushtetues të trajtohen si vepër penale.

Ambasada e SHBA-së në Bosnjë-Hercegovinë i ka përkrahur vendimet e Schmidt dhe ka paralajmëruar se “do të ketë pasoja” për veprimet e Asamblesë Kombëtare të entitetit të Republikës Sërpska.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›