E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bota është më e madhe se pesë”, Erdogan kërkon heqjen e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë thirrje për reformimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar heqjen e të drejtës së vetos dhe sistemin e anëtarëve të përhershëm.

Thirrja u bë përmes një artikulli të publikuar në Bloomberg, në prag të fjalimit të tij në Asamblenë e 81-të të Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Erdogan argumentoi se struktura aktuale e Këshillit të Sigurimit pasqyron rendin ndërkombëtar të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe nuk përputhet më me realitetet e sotme.

Sipas tij, krizat e viteve të fundit, përfshirë pandemitë, krizat energjetike, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dhe konfliktet rajonale, kanë treguar kufizimet e një sistemi ku vendimmarrja ndikohet nga një numër i vogël shtetesh.

Presidenti turk kërkoi që reforma të nisë me heqjen e privilegjit të vetos, duke kundërshtuar edhe zgjerimin e numrit të vendeve të përhershme.

Në vend të kësaj, ai propozoi një Këshill Sigurimi pa anëtarë të përhershëm, ku vendet të zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme për mandate të përcaktuara dhe të kenë mundësi të rikandidojnë përmes një votimi të ri.

Erdogan kërkoi gjithashtu forcimin e rolit të Asamblesë së Përgjithshme dhe krijimin e një koalicioni të gjerë mes vendeve anëtare për reformën.

Këshilli i Sigurimit aktualisht ka pesë anëtarë të përhershëm me të drejtë vetoje: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.

Qëndrimi i Erdogan nuk është i ri. Në vitin 2019, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ai deklaroi se “bota është më e madhe se pesë”, duke kërkuar ndryshimin e strukturës së Këshillit.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, presidenti turk foli edhe për rolin e Turqisë në sigurinë evropiane. Ai deklaroi se një Evropë më e fortë dhe më e sigurt nuk mund të ndërtohet duke përjashtuar Turqinë nga arkitektura e saj e sigurisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›