Botërori i Sporteve të Ujit në RTSH: komandon Kina, e ndjek Australia

Në Fukuoka të Japonisë u zhvillua Kampionati Botëror i Sporteve të Ujit, garat më të spikatura të të cilit erdhën për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Dita e 16-të dhe e fundit ka patur në qendër të vëmendjes notin, duke nisur me bateritë e dy garave, atë të 400 m katërnotim për femra si dhe stafetën e 4 x 100 m katërnotim për meshkuj, por edhe për femra, të cilat kanë përcaktuar edhe përbërjen e finaleve që u zhvilluan pak më vonë. Ndërkaq, në finalen e 50 m shpinë për meshkuj, fitues doli amerikani Hanter Armstrong, i ndjekur nga bashkatdhetari i tij, Xhastin Res, dhe kinezi Xhia-ju Xu. Po në këtë disiplinë, për femra fitoi lituanezja Ruta Mei-lu-tyte, e cila vendosi edhe rekord të ri botëror me kohën 29 sekonda e 16 të qindtat.
Podiumin e plotësoi amerikania Lili King dhe italiania Benedeta Pilato. Në 1,500 m stil i lirë për meshkuj fitoi tuniziani Ahmed Hafnaui, i cili vendosi një rekord të ri afrikan, por edhe të Botërorit, i ndjekur nga amerikani Robert Finke dhe australiani Samuel Xhek Short. Në 50 m stil i lirë për femra, suedezja Sarah Sjëstrëm fitoi betejën me australianen Shajna Xhek dhe kinezen Jufei Zhang, ndërsa në 400 m katërnotim për femra, ishte kanadezja Samër MekIntosh që mori vendin e parë, duke vendosur edhe një rekord të ri të kampionatit botëror, e ndjekur nga Keiti Grimes dhe australiania Xhena Forrester.
Ndërsa në fund, në stafetën e 4 x 100 m katërnotim, për meshkuj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën medaljen e artë, duke vendosur edhe një rekord të Kampionatit Botëror, Kina të argjendtën e Australia të bronztën, ashtu sikundër bënë edhe për femra, duke lënë prapa Australinë dhe Kanadanë.