E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botohen në shqip, aventurat e Konan Barbarit - Ora e Dragoit

Tiranë, 31 Korrik NOA - Vjen në shqip romani Ora e Dragoit, një ndër veprat më të njohura të ciklit të aventurave të Konan Barbarit, ndër më të famshmet në gjininë e aventurave heroike-fantastike, të bërë të njohura edhe më shumë nga filmat e Arnold Shvarcenegerit.

I rrëzuar nga froni i Akuilonias si rezultat i intrigave të një magjistari të sjellë sërish në jetë pasi kish qenë për disa shekuj me radhë i vdekur, Konanit i duhet të gjejë xhevahirin e famshëm të njohur me emrin Zemra e Ahrimanit që të mund të rifitojë mbretërinë e humbur dhe që të mbetet gjallë.

Vetëm Zemra e Ahrimanit mund ta shkatërrojë Ksaltotunin, magjistarin e tmerrshëm, dhe Konani duhet të kalojë shumë peripeci për ta shtënë atë në dorë.

Robert E. Howard, ka lindur në Teksas në vitin 1906. Ndonëse vrau veten në vitin 1936, kur ishte vetëm 30 vjeç, ai la pas mjaft vepra, mes të cilave më të famshmet janë padyshim ato që kanë në qendër bëmat fantastike të Konan Barbarit.

Më poshtë gjeni pjesë të përzgjedhura nga libri më i ri:

1. Çohu, o ti që fle!

Flakët e qirinjve të gjatë u drodhën, duke bërë që hijet e zeza të luhateshin mbi mure, dhe sixhadetë e gjata të kadifenjta valëzuan. Por në dhomë nuk frynte erë. Katër burra qëndronin pa lëvizur në anë të tryezës prej abanozi ku shtrihej sarkofagu i gjelbër vezullues si nefrit i gdhendur. Secili mbante në dorën e djathtë të ngritur lart një qiri të zi të çuditshëm, që digjej me një dritë të pazakontë me ngjyrë të gjelbër të shpëlarë. Jashtë ishte natë, dhe një erë e fortë rënkonte në errësirën midis pemëve.

Brenda, në heshtje e midis hijeve, katër palë sy flakërues po vërenin ngultas arkën e madhe mortore dhe hieroglifet e mistershme që dredhonin mbi sipërfaqen e saj, ku përpëlitja e dritës sikur u jepte jetë e gjallëri. Burri që qëndronte tek këmbët e sarkofagut u përkul përsipër dhe lëvizi qiririn si për të shkruar, duke vizatuar një simbol misterioz në ajër. Më pas e vendosi qiririn në shandanin e vet të zi prej floriri, mërmëriti fjalët e një formule magjike që të tjerët nuk arritën ta kuptonin dhe futi thellë një dorë të madhe të bardhë në tunikën me garniturë gëzofi që i zbriste deri tek këmbët. Kur e nxori, mbante në pëllëmbë diçka që dukej si një sferë zjarri e gjallë.

Nga ajo pamje tre të tjerët morën frymë thellë; ndërkohë që nga ana e kundërt e tryezës, burri i fuqishëm dhe me fytyrë të zeshkët pëshpëriti: Zemra e Ahrimanit! por një lëvizje e shpejtë dore e bëri të heshtte menjëherë. Së largu, u dëgjua ulërima e kobshme e një qeni, dhe një hap i lehtë u afrua tek dera e mbyllur me lloz dhe zinxhir. Por askush nuk e hoqi vështrimin nga sarkofagu, mbi të cilin burri me tunikën me buzët me gëzof kalonte xhevahirin e madh flakërues, ndërsa murmuriste një formulë magjike që ishte e lashtë edhe kur Atlantida u përpi nga ujërat. Shkëlqimi i xhevahirit të vriste sytë dhe askush nuk ishte në gjendje të kuptonte çfarë po shikonte në të vërtetë. Por papritur kapaku i gdhendur i sarkofagut u hap me zhurmën e një guri që shkërmoqet, sikur e shtynte nga brenda një forcë e papërmbajtshme. Të katër burrat u përkulën me padurim për të parë brenda, dhe kështu mundën të dallonin çkishte aty: një formë e paqartë, e fishkur dhe e eshkët e mbështjellë nga fasha prej lini që binin e bënin të dukeshin gjymtyrë të thara nga çdo limfë jete, të errëta si druri i kalbur.

Do ta risillni në jetë atë gjënë? murmuriti burri në të djathtë, i shkurtër nga shtati e i zeshkët nga lëkura dhe qeshi hidhur: Bëhet pluhur vetëm po ta prekësh. Sa budallenj që jemi

Shsh, nxitoi tia priste burri që mbante gurin e çmuar. Bebet i kishte të zmadhuara, balli i gjerë dhe i zbehtë i qe mbuluar me djersë. U përkul edhe më shumë mbi sarkofag dhe e vendosi sferën vezulluese mbi gjoksin e mumjes duke u kujdesur të mos e prekte me dorë. Pastaj u tërhoq mbrapsht, dhe e vështroi me një ngultësi që të kallte frikën, dhe lëvizi buzët në një lutje të heshtur.

Mbi gjoksin e tharë e pa jetë të mumjes dukej se po digjej e po lëvrinte një glob zjarri i gjallë. Burrat merrnin frymë zhurmshëm, me dhëmbë të shtrënguar, sepse po shihnin të realizohej para syve të tyre një shndërrim rrëqethës. Forma e eshkët brenda sarkofagut zgjerohej, rritej e zgjatej. Fashat u copëzuan duke u kthyer në një pluhur të kaftë. Gjymtyrët e thara rimorën trashësinë e fillimit dhe u drejtuan. Edhe ngjyra e lëkurës humbi çdo hije të zeshkët.

Për Mitrën! pëshpëriti burri në të majtë, flokëverdhë dhe i gjatë nga shtati. Me siguri nuk ka qenë stigjian. Kishe të drejtë, të paktën për këtë.

Sërish një dorë që dridhej nga tensioni tërhoqi vëmendjen që të ruhej qetësia. Qeni jashtë nuk ulërinte më. Kuiste si nga një ëndërr e keqe. Por pastaj edhe ajo zhurmë e fundit u këput përnjëherësh. Në qetësinë absolute, burri flokëverdhë dëgjonte qartë derën e rëndë tek kërciste mbi mentesha sikur diçka po e shtynte me forcë nga jashtë. Bëri të kthehej, me dorën mbi dorezën e shpatës, por burri me tunikën prej hermine qe gati ta ndalonte me një fishkëllimë: Mos lëviz. Mos e prish rrethin tonë! Dhe, nëse të dhimbset jeta, mos u afro tek dera!.

Tjetri ngriti supet dhe u kthye përsëri, por ndaloi në mes të lëvizjes duke zgurdulluar sytë. Sarkofagu prej nefriti mbante tashmë një njeri të gjallë: një burrë të gjatë dhe të fuqishëm, lakuriq, të bardhë nga lëkura, të zi nga flokët dhe nga mjekra. Qëndronte pa lëvizur dhe sytë e zgurdulluar ishin të zbrazët dhe pa njohje, si të një të porsalinduri. Mbi gjoksin e tij flakëronte xhevahiri i madh vezullues.

Burri me gëzof hermine u drodh, si të çlirohej nga një tension i jashtëzakonshëm.

Ishtar! psherëtiu! Është Ksaltotuni! Dhe është i gjallë! Valerio! Tarask! Amalrik! E patë? E patë? Nuk donit të më besonit, por unë e mbajta premtimin! Këtë natë kemi shkuar veç një hap larg portave të ferrit, dhe format e errësirës janë grumbulluar shumë pranë nesh. E kanë ndjekur atë deri te pragu, por ne arritëm të rikthejmë në jetë magjistarin e madh!

Dhe e kemi dënuar shpirtin tonë me dënimet e përjetshme, pa pikë dyshimi, murmuriti burri shtatshkurtër, Tarasku.

Valerio, burri flokëverdhë, qeshi: Çndëshkim është më i padurueshëm se vetë jeta? Ne jemi të dënuar të gjithë që kur kemi lindur. Pastaj, kush nuk do të jepte jetën e tij të mjerë në këmbim të një froni?

Vështrimi i tij nuk jep shenja njohjeje, Orast, tha burri trupmadh.

Ka qëndruar shumë kohë midis të vdekurve dhe është në gjendjen e atij që zgjohet papritur. Mendja e tij është e zbrazët pas një gjumi aq të gjatë. Gjumi? Jo, jo ishte i vdekur, jo në gjumë. Kemi sjellë këtu shpirtin e tij nga zbrazëtia dhe thellësitë e natës dhe të harresës. Por më lini ti flas.

U përkul në anë të sarkofagut dhe duke ngulur vështrimin te sytë e zinj dhe të zgurdulluar të burrit, murmuriti lehtë: Zgjohu Ksaltotun!

Buzët e tjetrit lëvizën automatikisht Ksaltotun! Përsëriti me një pëshpërimë hezituese.

Ti je Ksaltotuni! klithi Orasti, si të ishte një hipnotizues që rrekej ta sugjestiononte. Ti je Ksaltotuni i Pitonit në perandorinë e Akeronit.

Një shkëndijë njohjeje valëzoi në sytë e zinj.

Ksaltotuni kam qenë, pëshpëriti. Por tani kam vdekur.

Jo! Ti je ende Ksaltotuni, bërtiti Orasti. Ti nuk ke vdekur, je i gjallë!

Unë jam Ksaltotuni, vazhdoi murmurima e mistershme, por Ksaltotuni ka vdekur. Në shtëpinë time në Khemi, në Stigjia, atje vdiqa.

Priftërinjtë që të helmuan ta kanë balsamosur trupin me magjitë e tyre të z

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›