E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRIZA E THELLË E PD-së

Demokratët bënë në heshtje atë që u kishte mbetur për të bërë: si pjesë e opinionit publik, e kthyen edhe ata vëmendjen te PS-ja, te procesi që do të përjetojë kjo parti etj. Demokratët heshtën, sepse nuk mundën t'i gëzohen fitores, sepse nuk mund të thonë dot që janë fitues të këtyre zgjedhjeve. Thjesht, fituan krerët e PD-së, të cilët fshehën me kujdes atë që ka ndodhur realisht, pra faktin që, edhe këtë radhë, PD-ja mori më pak vota se PS-ja. Megjithatë, ata do të mbeten në qeverisje, këtë radhë duke zëvendësuar aleancën me punistët e PAA-së, me një pjesë tjetër të së majtës, me LSI-në.

Edhe këtë radhë, ashtu siç ka ndodhur në të gjitha zgjedhjet politike dhe lokale që janë zhvilluar në Shqipëri (14 gjithsej, nëse do të përshijmë edhe dy referendumet për miratimin e Kushtetutës), me përjashtim të zgjedhjeve të vitit 1992 dhe zgjedhjeve lokale përgjithësisht të pranuara të vitit 1996, PD-ja ka marrë më pak vota se PS-ja. PD-ja ka një bilanc negativ elektoral, i cili, po të analizohet në tërësinë e tij, pra i shtrirë në kohë për krejt periudhën e tranzicionit shqiptar, 1991-2009, është një bilanc zhgënjyes për çdo demokrat dhe një bilanc tragjik për vetë PD-në. Është zhgënjyes për demokratët, sepse PS-ja ka marrë më shumë vota se PD-ja në dhjetë nga katërmbëdhjetë rastet, kur shqiptarëve u është dashur të votojnë dhe të ndajnë qëndrimin e tyre ndaj dy partive të mëdha, PD-së dhe PS-së, pa neglizhuar këtu edhe votimet për miratimin e projekt-Kushtetutës, të realizuara përkatësisht në vitet 1994 dhe 1998, që për shumë arsye, në një analizë politike, nuk kanë pse të ndahen nga votimet e tjera.

PD-ja e ka mundur PS-në vetëm në vitet 1992 dhe 1996. Është një bilanc tragjik për PD-në, si një parti që u ngrit mbi shpresën shqiptare për demokraci, që mblodhi energjinë më të madhe popullore të mbledhur ndonjëherë, kapitalin më të madh politik, që realisht një parti ka pasur ndonjëherë në Shqipëri. Ai kapital u tret pa mundur të investohet realisht dhe në një pjesë të madhe të tij në të mirë të shqiptarëve. Rezultatet e zgjedhjeve tregojnë ekzaktësisht këtë gjë.

Tragjizmi qëndron në atë se si ata, që dikur ishin shkak i revoltimit të shqiptarëve në 1992-shin, sot marrin votën e tyre, në çdo votim, në çdo kohë, më shumë se demokratët, më shumë se partia që u vu në krye të ndërrimit të sistemeve. Diçka ka shkuar shumë keq me PD-në dhe nëse shihet me kujdes, krerët e PD-së dhe njerëzit në shërbim të tyre, refuzojnë gjithmonë të bëjnë analiza të shtrira në kohë, në të gjitha kuptimet. Ata merren vetëm me atë që ndodh në një kohë të dhënë, pa kthyer kokën prapa, duke qenë të kujdesshëm që të fshehin faktin që PD-ja merr më pak vota shqiptarësh se PS-ja, që ky raport votash midis dy partive, meqë po bëhet i qëndrueshëm, sepse është një gjë që ndodh që nga viti 1996, po kualifikohet edhe si "historik". Duke mos u marrë me pjesën historike, u mbetet vetëm të mbulojnë humbjen e radhës. Këtë e kanë bërë deri tani, ose duke përfituar nga sistemi elektoral, ose duke përfituar nga një përçarje e PS-së, ose me mosnjohjen e zgjedhjeve dhe bojkotin e Parlamentit apo të institucioneve të dala prej tij. Këtë qëndrim kanë mbajtur krerët e PD-së në krejt historinë e zgjedhjeve të pas 1996-ës në Shqipëri.

Është kjo arsyeja pse nuk ka asnjë analizë mbi masën e rënies së votimit të shqiptarëve ndaj PD-së në periudhën nga 1992-shi e deri sot, nuk ka asnjë analizë për të studiuar faktin që tashmë është kthyer në "trend", pra është bërë "udhë", është kthyer në një tendencë të vërtetuar, që PD-ja merr më pak vota se PS-ja, se PD-ja ka kohë që nuk është PD-ja e 1992-shit, jo vetëm në kuptimin ideologjik, jo vetëm në kuptimin moral, jo vetëm në kuptimin politik, por edhe në kuptimin elektoral. Nuk kemi asnjë analizë që të studiojë pse PD-së po i largohen qytetet e mëdha, pse po i largohet pjesa më e ndritshme e votuesve shqiptarë. PD-ja nuk votohet më nga ata që kuptojnë më shumë, nga aleatët e saj të 1992-shit, d.m.th., nga studentët, intelektualët, ish-të përndjekurit politikë, pra nga qytetarët në përgjithësi. Qytetet e mëdha nuk janë më mbështetëset e PD-së, por të PS-së. Tirana, kështjella prej ku u mund komunizmi, nuk merret më nga PD-ja që pas 1996-ës, çka duhet të ishte e mjaftueshme për t'i thënë çdo ekipi drejtues të PD-së të largohet dhe të zëvendësohet me një tjetër. Janë të gjitha shenjat që një gjë e rëndë ndodh me PD-në dhe është vetëm çështje kohe që atë ta kuptojnë edhe në zonat periferike, ku lajmi shkon me vonesë.

Është jashtë çdo dyshimi që gjithçka ka filluar para vitit 1997. Ky vit, para se të bëhej shkak për gjendjen e rëndë në Shqipëri, ishte pasojë, produkt i një qeverisjeje të papërgjegjshme të sektorit financiar (lulëzimi i piramidave financiare ishte një papërgjegjshmëri qeverisëse, para së gjithash) e kombinuar me rritjen e autoritarizmit, që gjithmonë e më shumë po e shndërronte PD-në në një parti pa përmbajtje demokratike. Rrëzimi i firmave piramidale fabrikoi një goditje të fortë popullore mbi qeverisjen e PD-së, dhe në kohën që PD-së i duhet të ishte më e fortë se kurrë për ta përballuar goditjen, autoritarizmi, si praktika e përjashtimit të njerëzve nga marrja dhe ekzekutimi i pushtetit, përgjegjësive, dhe përqendrimi i tyre në duart e një njeriu ose të pak njerëzve, e kishte katandisur PD-në në një forcë pa mbështetje të gjerë dhe prandaj, më të dobët se kurrë.

Shenjat se autoritarizmi në PD-së nuk u pëlqente shqiptarëve, ishin dhënë që me referendumin për Kushtetutën në vitin 1994, por ajo ishte një kambanë që PD-ja s'e dëgjoi. Më pas çdo gjë shkoi si në një rrokullisje të natyrshme. Autoritarizmi në PD vazhdoi të bëhej gjithmonë e më sundues dhe mungesa e shpërndarjes së përgjegjësive e bënte partinë të paaftë të thithte dhe materializonte pakënaqësinë popullore, që vinte nga qeverisja e PS-së, e pengonte zgjerimin e saj, ashtu sikundër i rriste shanset për një politikë çoroditëse që bëhej herë në rrugë dhe herë në Parlament.
Ardhja në pushtet e PD-së në vitin 2005, pas një dimri të gjatë, dëshmoi që PD-ja nuk kishte mësuar asgjë nga "acari" i tij, përkundrazi. Qeverisja e PD-së, në katër vitet e shkuara, pa pikë hezitimi, ka qenë një qeverisje vërtet e keqe, e paskrupullt. Asnjë reformë e nisur nuk rezulton e mbaruar dhe më e zeza është se, shkelja e ligjit, përfitimi i padrejtë, poshtërimi i individit, tashmë janë kthyer në formë të ekzistencës së qeverisjes së PD-së.

Ky vend ka arritur në fazën, në të cilën dy partitë kryesore i ngjajnë njëra-tjetrës si dy pika uji. Sapo fillojnë të qeverisin, mbulohen nga të njëjtat probleme. Por diferencat janë ato që krijojnë fluks votash, nga një parti te tjetra, nga votuesit te partia, përmes rritjes së pjesëmarrjes së tyre, siç ndodhi në '92-shin. Kjo dukuri është natyrore. Diferencat midis PD-së dhe PS-së për sa i përket modelit të qeverisjes janë shuar dhe ky është edhe shkaku më i thellë pse edhe në të ardhmen nuk ka asnjë shans për ta parë PD-në me më shumë vota se PS-në. Do të ndodhë, megjithatë, e kundërta. PS-ja do të vazhdojë të ketë një mbështetje popullore gjithmonë paksa më të madhe se PD-ja. Sepse në PS mund të jesh kundër kryetarit dhe të mos përjashtohesh nga partia, sepse në PS vendimmarrja shpërndahet midis autoriteteve dhe strukturave të partisë, sepse në PS votohet sipas "Një anëtar, një votë", dhe e gjitha kjo u jep mesazhin shqiptarëve që PS-ja ka më shumë shanse se PD-ja të ndërtojë demokracinë në vend, pasi përpiqet ta ndërtojë atë brenda vetes, në fillim. Vini re, demokratë! Jo PS-ja, por atë se ku është katandisur PD-ja. Një parti që mposhti diktaturën, por nuk ndërton dot demokracinë. Le të mos ta lejojmë këtë gjë!


*Artikulli mund të lexohet i plotë on-line, në gazetatema.net dhe shekulli.com.al. Titulli në origjinal: "Gjyqi elektoral i PD"

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›