Botohet në shqip romani bestseller i ish-ministres së drejtësisë së Norvegjisë

Tiranë, 25 korrik, NOA Ka mbërritur në gjuhën shqipe për lexuesin shqiptar, romani thriller Atë që meriton, i Anne Holt, autores më të famshme të romaneve policore në Norvegji, ish-ministre e Drejtësisë, gazetare, avokate dhe police, me mbi 4.000.000 libra të shitur dhe e përkthyer në 25 gjuhë.
Ky roman është i pari i një serie që ka mbërthyer vëmendjen e lexuesve të gjysmës së botës për gdhendjen e pastër të personazheve, për stërhollimin psikologjik të denjë për autorët e mëdhenj të romaneve të verdha angleze, për përkujdesjen për saktësi dhe trillin romancesk që përkëmben kthesat e befta me një kuptim të thellë dhe të dhembshur të natyrës njerëzore. Dhe gjithçka ndodh në një atmosferë, ku, pa e ndierë, nga skena e parë tek e fundit mbetesh pa frymë.
Në Norvegji zhdukja e fëmijëve sa vjen e po shtohet. Një vajzë nëntëvjeçare rrëmbehet dhe trupi i një djali gjendet me një letër të llahtarshme mbi të. Për inspektorin e policisë norvegjeze Adam Stubo, i cili e di çdo të thotë të humbasësh një fëmijë, komunikimi me prindërit në zi është makth më vete. Për zbardhjen e këtyre çështjeve tronditëse, ai kërkon ndihmën e ish-profilistes të FBI-së Johanne Vikut.
Nënë e një vajze me probleme, Viku nuk ka dëshirë të ngatërrohet me këtë çështje... derisa një ngjarje e tmerrshme e detyron të ndryshojë mendje. Tanimë, të bashkuar në një kërkim të dëshpëruar për të zbuluar lëvizjen e ardhshme të vrasësit, Stubos e Vikut u duhet të hulumtojnë në një labirint kompleks çmendurie e hakmarrjeje... para se fëmijë të tjerë të pafajshëm të gjejnë një fund të tmerrshëm.
Anne Holt është shkrimtarja më e suksesshme e romaneve policore në Norvegji dhe njëherësh autorja më e lexuar në botë e këtij vendi nordik. Ka botuar 14 libra dhe ka në proces edhe dy të tjerë. Dymbëdhjetë syresh përfshihen në listën e librave më të shitur. E përkthyer në 25 gjuhë të botës, tanimë më shumë se katër milionë kopje të romaneve të saj janë në duart e lexuesve, të cilët i ka bërë për vete me historitë kriminale, në thelb të të cilave qëndrojnë çështje të rëndësishme sociale.
Por, së shpejti do të botohet edhe romani tjetër i po kësaj autoreje, me personazhe sërish inspektorin e policisë, Adam Stubo dhe profilisten, Johanne Vik, Ajo që ska ndodhur kurrë.
n.e/NOA