E Diel, 1 Nëntor 2026

Alban Hajdinaj, pjesërisht në Bienalen e Venecias

Artisti Alban Hajdinaj ekspozoi për rreth një muaj punët e tij në galerinë "Contemporaneo" në Venecia.


Ekspozita "Origjina e së majtës dhe të djathtës" është një nga aktivitetet e shumta që zhvillohet paralelisht me Bienalen. Artisti thotë se kjo është hera e parë që puna e tij i shpëton etiketës "art lindor"


Sot është dita e fundit e ekspozitës së tij të parë personale në Itali, por Alban Hajdinaj nuk ndodhet në galerinë "Contemporaneo" për të mbledhur, mbështjellë dhe për të vendosur në kuti punët e tij.


Nuk ishte aty as dje kur po në këtë galeri dy kuratorët e ekspozitës "Origjina e së majtës dhe e së djathtës" Riccardo Caldura dhe Daniele Capra prezantuan katalogun e punëve të tij. Arsyeja e mungesës është ajo që ka çdo shqiptar që do të kalojë kufirin: mungesa e vizës dhe të qenit artist, me sa duket nuk përbën asnjë përjashtim.


Hajdinaj thotë se ka qenë prezent vetëm në ditët e para të hapjes së ekspozitës dhe më pas nuk ka mundur ta ndjekë dot. Për të kjo është përballja e parë individuale me një publik të zgjedhur siç është ai italian.


Më parë është prezantuar në ekspozita të përbashkëta ku kujtojmë "Manifesta 4" dhe "Eurasia", si dhe pjesëmarrjen e tij në dy vite më parë në edicionin e 52-të të Bienales së Venecias. Në fakt "Origjina e së majtës dhe të djathtës" është një nga aktivitetet e shumta që zhvillohen në Venecia, paralelisht me Bienalen.


Sipas Hajdinajt, kjo është një mënyrë për t'i ofruar publikut një shumëllojshmëri zgjedhjesh. Më poshtë ai tregon për ekspozitën, bashkëpunimin me galerinë italiane "Contemporaneo" dhe përballjet me cilësimin "art lindor".


Sot është dita e fundit që punët e tua qëndrojnë në galerinë "Contemporaneo"në Venecia. Çfarë i ka ofruar publikut italian ekspozita jote "Origjina e së majtës dhe së djathtës" për gati një muaj?

"Origjina e së majtës dhe së djathtës" përmban rreth 40 punë, të cilat janë të ndara në disa cikle. Janë dy video, një seri prej 20-25 pastelesh të përmasave të vogla, të punuara kryesisht mbi çanta letre të produkteve të ndryshme të tregut.


Përveç këtyre janë edhe një seri e vogël vizatimesh të bëra nga nxënësit, mbi librat e shkollës. Cikli i fundit përmban një seri fotografish, të cilat tregojnë pjesën e pasme të pikturave që janë në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve.


Ekspozita është në kuadër të një bashkëpunimi që ka filluar disa vite më parë mes Galerisë Kombëtare të Arteve dhe galerisë "Contemporaneo" të Mestres, në Venecia. Pjesë e këtij bashkëpunimi ishte edhe ardhja e kuratorit Riccardo Caldura, në Tiranë, për të kuruar "Onufrin".


Përse është zgjedhur ky moment për të ekspozuar në Venecia?


Kjo ekspozitë është pjesë e të gjitha aktiviteteve që ndodhin në Venecia në të njëjtën kohë me Bienalen. Ka një fluks aktivitetesh që zhvillohen në të njëjtën kohë me hapjen e Bienales dhe këto quhen ngjarje anësore.


Besoj se kjo ka për qëllim shtrirjen e gjeografisë së artit në të gjithë qytetin dhe në zonat përreth. Aty ka pasur edhe aktivitete që janë zhvilluar shumë larg qytetit, në hapësira alternative, p.sh., në baza ushtarake që nuk përdoren më.


Tendenca është që ta zgjerojnë sa më shumë këtë aktivitet, në mënyrë që vizitorëve që vijnë t'u ofrohen sa më shumë gjëra për të parë në të njëjtën kohë. Edhe ekspozita ime është përfshirë në këtë projekt të madh, por gjithsesi nuk mund të quhet pjesë e Bienales së Venecias, është thjesht një aktivitet që bëhet në të njëjtën periudhë, por vetëm kaq.


Dje në galerinë "Contemporaneo" është prezantuar edhe një katalog i përgatitur nga kuratori Riccardo Caldura dhe kritiku Daniele Capra. Çfarë përmban ky katalog?

Katalogu ilustron vetëm ekspozitën që është hapur në Mestre. Kjo është një praktikë pune e galerisë "Contemporaneo", e cila e përgatit katalogun gjatë kohëzgjatjes së ekspozitës dhe e promovon në ditët e fundit.


Katalogu i dedikohet ekspozitës së hapur në hapësirën e tyre dhe jo punëve apo ndonjë lloj retrospektive të artistit. Kështu që kjo galeri paraqet imazhe nga mënyra se si janë instaluar punët në hapësirën e saj. Gjithashtu përmban edhe dy recensione kritike të autorëve.


Ekspozita juaj zhvillohet nën titullin "Only one (artist)". Cila është domethënia e tij?
Ky është një projekt i galerisë "Contemporaneo". Ekspozita ime ishte e para dhe pas saj projekti do të vijojë me disa ekspozita të tjera personale të artistëve të ndryshëm italianë. "Only one" është thjesht një titull.


Kjo është ekspozita juaj e parë personale në Itali. Çfarë vendi zë në aktivitetin tënd artistik?


Nuk është e lehtë të hapësh një ekspozitë individuale, aq më tepër jashtë Shqipërisë, sepse hapësirat janë të rezervuara për artistë që kanë një emër, kanë një karrierë. Është më e lehtë të marrësh pjesë në një ekspozitë grupi, por kur vjen puna tek një personale është shumë e vështirë, sepse duhet të kalosh nëpër filtra më të fortë, më të imët për sa i përket cilësisë së punës.


Përveç kësaj, një ekspozitë personale është një lloj sfide individuale për çdo artist, sepse përballesh më punën tënde në përgjithësi.


Në momentin që mbush një hapësirë me punët e tua, krijon një marrëdhënie tjetër, krejt ndryshe nga marrëdhënia që ke me punën në studio ose kur ekspozon një punë në një ekspozitë grupi. Është një lloj ndërmarrjeje krejtësisht tjetër, më e madhe, më e vështirë dhe kërkon një lloj përgjegjshmërie më të lartë.

A ka pasur në kritikën italiane tendenca për ta klasifikuar punën tënde si art lindor?


Kjo është një gjë e pashmangshme, por në këtë rast nuk ndodhi. Nuk pati asnjëlloj tendence për të bërë klasifikime apo për ta quajtur kështu apo ashtu. Unë personalisht jam kundër këtyre termave lindor apo perëndimor.


Por kjo gjë ndihet dhe për mendimin tim është një nga shfaqjet më të shëmtuara të kulturës bashkëkohore. Për mua Shqipërinë e mban peng kulturalisht pikërisht kjo lloj klisheje. Unë nuk ndihem inferior sepse jam shqiptar, unë e ndjej veten artist.


Fakti që unë vij nga Shqipëria, për mua nuk ka ndonjë rëndësi shumë të madhe. Kam jetuar në Paris, Berlin dhe nuk vuaj nga klishetë e identitetit që të përcaktojnë se kush je.


Gjatë këtij muaji që ka qëndruar e hapur ekspozita, ju është blerë ndonjë punë?
Galeria "Contemporaneo" është një galeri publike, nuk është një galeri private që merr përsipër shitjen e punëve. Unë shes punë, por me këtë ekspozitë nuk kam shitur asnjë punë.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›