E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bozdo: Kompania që bleu ARMO-n është azere, ata kanë marrë përsipër edhe borxhet e Taçit

armoZëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, në një intervistë për Top Channel, ka konfirmuar kalimin e ARMO-s në pronësi të një kompanie, që ai pranon se është azere.

Bozdo thotë se kjo kompani përmbush kriteret teknike dhe financiare, si dhe trashëgon të gjitha detyrimet e prapambetura nga Anika Enterprises, përfshirë borxhet ndaj palëve të treta dhe ruajtjen e punonjësve.

Kemi pasur një letërkëmbim intensiv me kompaninë në fjalë, e cila ka qenë e interesuar të hyjë në koncesion përmes shkëmbimit të paketave aksionare. I kemi bërë verifikimin teknik dhe financiar dhe gjithashtu kemi deklaratën noteriale të kompanisë që merr përsipër të njohë kontratën, si e vetmja marrëdhënie juridike mes saj dhe autoritetit kontraktues, si dhe të njohë deri në një detyrimet e prapambetura të kompanisë, të krijuara gjatë kësaj kohe, që po krijohen apo do krijohen. Mbi të gjitha ruajtjen e punonjësve, pagesat e prapambetura, sigurimet shoqërore, pagat e tyre, çdo borxh ndaj palëve të treta. Absolutisht gjithçka, deklaron Bozdo.

Duke iu përgjigjur pikëpyetjeve lidhur me vendin nga vjen kompania, zoti Bozdo thotë se Heaney Assets Coorporation vjen nga Azerbajxhani.

Kompania deklarohet se është azere dhe ka background të respektueshëm në fushën dhe sektorin përkatës. Shpresojmë që hyrja e një kompanie me asete të mira teknike dhe financiare të zgjidhë ose përmirësojë drejt zgjidhjes përfundimtare problematikat e vëna re me kompaninë, nënvizon Bozdo.

Ndërsa duke iu referuar kufizimit në ndërhyrjen e Ministrisë së Ekonomisë për shitjen e aksioneve, zoti Bozdo shpjegon se privatizimi nuk ka kaluar afatin prej pesë vitesh.

Zakonisht është e drejtë që shtrihet në dy deri tre vite, e pra është shtrirë deri në pesë vite. Sikur ky transaksion të ndodhte në dhjetor të këtij viti, ne nuk do të kishim të drejtën as të ndërhynim e as të pengonim ndërhyrjen e transaksionit sepse mbaron afati. Por shumë mirë që ndodh tani sepse kemi mundësi të kontrollojmë atë që duhet kontrolluar, sqaron më tej Bozdo.

ARMO iu shit për një vlerë rreth 125 milionë euro në fundin e vitit 2008 një konsorciumi që u prezantua si kompani amerikane e regjistruar në Teksas të Shteteve të Bashkuara.

Por menjëherë më pas, në skenë doli biznesmeni Rezart Taçi, që deklaroi se ishte ai personi që kishte kontrollin e shumicës së aksioneve të ARMO.

Por në vitet që pasuan, kompania u përfshi në mjaft polemika politike për moszbatimin e kritereve të vendosura për privatizimin, siç ishin ato për investimet dhe prodhimin.

Vitin e kaluar, banka shtetërore e Azerbajxhanit kërkoi sekuestrimin e aksioneve të kompanisë ARMO pasi pretendonte moskthimin e një borxhi prej 75 milionë eurosh që ishin përdorur për privatizimin e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›