Braçe: Autoritetet lokale, detyrim për kontrollin e shëndetit të qenve dhe maceve të rrugës

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Në seancën e sotme të Kuvendit, deputeti socialist Erion Braçe paraqiti interpelancën e kërkuar me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që lidhet me shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve shoqëruese.
Braçe kritikoi mungesën e ministrit të Bujqësisë në seancë, duke e cilësuar atë si mungesë respekti ndaj Kuvendit ndërsa pranoi vijimin e interpelancës me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.
“Mungesa e ministrit është mungesë e thellë respekti ndaj Kuvendit dhe nuk fsheh paaftësinë për të lexuar e për të bërë punën”, u shpreh Braçe.
Deputeti socialist theksoi se askush nuk mund të përcaktojë se me cilin ministër një deputet duhet të zhvillojë interpelancën, duke iu referuar rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës.
“Nuk mund të përcaktojë një kryetar grupi apo drejtuesja e seancës plenare se me cilin ministër do të bëhet interpelanca”, deklaroi ai.
Braçe iu referua gjithashtu ligjit për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë, duke theksuar se të gjitha kafshët shoqëruese duhet t’i nënshtrohen procesit të identifikimit dhe regjistrimit në regjistrin përkatës që administrohet nga autoriteti kompetent.
Ai shtoi se ministri përgjegjës duhet të miratojë rregulloren që përcakton format e identifikimit të detyrueshëm për kafshët.
Sipas Braçes, njësitë e qeverisjes vendore kanë detyrimin të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente për zbatimin e masave profilaktike, kontrollin e shëndetit të qenve dhe maceve të rrugës, si dhe për marrjen e masave për trajtimin dhe mbrojtjen e tyre.
Deputeti iu referua edhe nenit 64 të ligjit, që përcakton lirinë e lëvizjes së kafshëve, duke theksuar se pronarët ose kujdestarët duhet t’u sigurojnë kushte të përshtatshme pa shkaktuar vuajtje të panevojshme.
/e.i/j.p/