E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Mungesa e infrastrukturës për trajtimin e ujërave të ndotura në Tiranë do të çojë në kolaps qytetin

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Deputeti socialist Erion Braçe zhvilloi sot interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, mbi ecurinë e projektit për përmirësimin e sistemit të kanalizimeve në Tiranën e Madhe – një projekt i financuar përmes një kredie të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) që prej vitit 2008 dhe që synon ndërtimin e sistemit të trajtimit përfundimtar të ujërave të ndotura në kryeqytet.

Në fjalën e tij, Braçe tha se në Tiranë vijon të mbetet problematik trajtimi i ujërave të ndotura, për të cilat theksoi se derdhen në lumenjtë e Tiranës, në Lanë dhe lumin e Tiranës.

Sipas tij, mungesa e përpunimit të ujërave të ndotura përpara shkarkimit në mjedis përbën rrezik për shëndetin publik dhe mjedisin, veçanërisht në një qytet që po zgjerohet me ritme të shpejta.

“Nëse do të kishte ndjeshmëri ndaj mjedisit, kjo mënyrë e derdhjes së ujërave të ndotura pa asnjë përpunim do të konsiderohej si një krim ndaj shëndetit publik”, tha Braçe.

Deputeti socialist theksoi se ndërtimet masive në zona të ndryshme të kryeqytetit, po rrisin ndjeshëm ngarkesën mbi infrastrukturën ekzistuese të kanalizimeve.

Sipas tij, rrjeti aktual është projektuar për një kapacitet më të ulët sesa nevojat që krijohen nga shtimi i popullsisë dhe ndërtimeve të reja.

“Tirana ka kohë që nuk është më vetëm Tirana. Ndërtimi masiv po e bën Tiranën të jetë Shqipëria. Ndërtime të reja masive po ngulen në lagjet ekzistuese me kapacitete të pamjaftueshme, për shkak të infrastrukturës së projektuar për një nivel shumë më të ulët të grumbullimit dhe transportimit të ujërave të ndotura”, vijoi Braçe.

“Po ndërtohet masivisht pa menduar se kapacitetet e infrastrukturës ekzistuese do të jenë në krizë shumë shpejt. Ndërkohë që ky volum ujërash të ndotura do të grumbullohet, transportohet dhe derdhet në të njëjtën infrastrukturë, depozitimi i tyre do të bëhet po njësoj dhe do të derdhen në lumenjtë e Tiranës”, tha ai.

Braçe shtoi se “asnjë metër linear apo vëllim i ri në rrjet nuk po shtohet. Asnjë impiant për përpunimin e ujërave të ndotura nuk është ndërtuar për të shoqëruar ndërtimet masive në Tiranë. Do të vijmë shumë shpejt në një krizë që do të çojë në kolaps të gjithë qytetin”.

“Projekti i financuar nga qeveria bujare e Japonisë, me objekt pastrimin e ujërave të ndotura të Tiranës, i nënshkruar dhe financuar në vitin 2008, i papërfunduar ende në vitin 2026, është dhimbje e madhe për këtë qytet, që nuk është më ai i vitit 2008, por është zmadhuar kuturu, kudo që ka mundur”, tha Braçe.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›