Shehaj: Skema kombëtare e naftës për fermerët nuk ka nisur zbatimin

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Kryetari dhe deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ngriti sot në Kuvend dy çështje në lidhje me sektorin e bujqësisë.
Në interpelancën e kërkuar me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deputeti Shehaj foli në lidhje me bllokimin e fondeve të IPARD-it.
“Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet AZHBR-së, kishte për detyrë të shpërndante miliona euro te fermerët shqiptarë. Por, sipas Bashkimit Europian dhe investigimit të OLAF-it, këto para u vodhën nga pushtetarë të Partisë Socialiste dhe, për pasojë, programi IPARD u bllokua. BE-ja e informoi Qeverinë shqiptare se fondet ishin bllokuar dhe se Shqipëria rrezikonte të humbiste rreth 110 milionë euro, për sa kohë nuk ktheheshin paratë e vjedhura”, tha Shehaj.
Shehaj iu referua deklaratës së ministrit Salla në muajin shkurt të këtij viti, sipas të cilit fondet e BE-së do të zhbllokoheshin brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
“Thatë se më 9 mars kishit zhvilluar një takim në Bruksel dhe kishit rënë dakord që brenda një muaji të plotësonit kërkesat e BE-së, dhe se deri më 9 prill gjithçka do të ishte zgjidhur për të rifilluar marrjen e këtyre fondeve. Kërkesat e BE-së janë të qarta, të mblidhen paratë e vjedhura të taksapaguesve europianë, të kthehen ato në buxhetin e BE-së dhe të jepen garanci për masat e marra, në mënyrë që ajo që ka ndodhur të mos përsëritet më”, tha Shehaj.
Një tjetër çështje, ku u ndal deputeti Shehaj ishte edhe ajo që lidhet me ndihmat për fermerët dhe skemën e naftës.
“Në fund të marsit, ju dolët publikisht dhe deklaruat se do ta mbyllnit skemën e naftës, pasi nuk ishte efektive, dhe prezantuat një skemë tjetër, të cilën e quajtët “skemë kombëtare”, me një fond prej rreth 52 milionë eurosh që duhet të shkojë te fermerët. Megjithatë, sa i përket zbatimit dhe shpërndarjes së këtyre 52 milionë eurove, aplikimet ende nuk kanë nisur”, pohoi Shehaj.
Deputeti Shehaj kërkoi të dijë se çfarë po bëhet për skemën kombëtare të naftës dhe pse ajo ende nuk ka nisur të zbatohet.
“Jemi në fund të muajit maj dhe ende nuk ka filluar procesi. Nuk e di nëse kjo lidhet me mungesën e udhëzimeve nga ministria apo me faktin që AKSHI është paralizuar dhe platforma e-Albania nuk aksesohet normalisht nga qytetarët shqiptarë”, përfundoi ai.
/e.i/j.p/r.e/