E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Në Farkë, masakër mjedisore dhe urbane

Tiranë- Masakër të vërtetë mjedisore, që dëshmon korrupsion e ka quajtur nënkryetari i Grupit kuvendor të PS-së, Erion Braçe, atë që ka ndodhur në Farkë. Deklarata është bërë sot gjatë një vizite që bëri ai së bashku me deputetin socialist Marko Bello, pas thirrjes së kreut të qeverisë për të parë, mrekullinë që po ndodh me zhvillimin e zonës.

“Pas sugjerimit të kryeministrit Sali Berisha për të marrë shembull nga mrekullia urbanistike e Farkës, si dhe pas dhjetëra telefonatash nga banorët e kësaj zone në zyrën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ftesës së tyre për të qenë këtu, jemi tamam këtu ku mbaron Bashkia e Tiranës dhe infrastruktura e saj, nëntokësore dhe asfalti mbitokësor, për t’u sjellë dëshminë më të qartë se mrekullia urbanistike e Farkës është thjesht mrekullia e korrupsionit”- tha Braçe.

Sipas tij, së pari aty ka ndodhur një masakër e vërtetë urbane, ndërtimet janë thellësisht pa kriter, kanë pushtuar sipërfaqe të gjelbra dhe i kanë shfarosur ato.

Së dyti, ka vijuar më tej ai, ka ndodhur një masakër e vërtetë mjedisore. Për shkak të këtyre ndërtimeve pa kriter, mjedisi është shkatërruar. Këtu vite më parë kanë qenë kodrat e kurorës së Tiranës, ato tani nuk janë më.

Së treti Braçe ka nënvizuar masakrën e vërtetë përsa i përket shërbimeve. “Shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm, energji elektrike, kanalizime të ujërave të zeza, infrastrukturë rrugore, kujdes shëndetësor, mundësi arsimimi ose nuk ekzistojnë fare, ose ekzistojnë thellësisht të kufizuara, duke dëmtuar rëndë cilësinë e jetës në gjithë këtë zone”- tha ai, duke shtuar se ky është modeli i Sali Berishës, modeli i bombave sociale pranë qyteteve.

Sipas tij, në themele të kësaj masakre urbane qëndron grabitja e madhe me titujt e pronësisë që ka joshur babëzinë të ndërtojë këtu e që për të cilën ka konkluzione të pastra e të qartë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe tani e më në fund hetime të plota nga Prokuroria.Ai i ka bërë thirrje Berishës të ndalë krimin mjedisor dhe urbanistik që po ndodh në këtë komunë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›