E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Braçe: Njësim i skemës për llogaritjen dhe zbritjen e TVSH-së për fermerët

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi sot projektligjin e propozuar nga deputeti socialist Erion Braçe, për tatimin mbi vlerën e shtuar në sektorin e bujqësisë.

Braçe në fjalën e tij në Kuvend, bëri të ditur se në ndryshimet e paraqitura në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” propozohet një mekanizëm i ri për përllogaritjen e TVSH-së, në rastet kur realizohen transaksione me autofaturim ndërmjet fermerëve dhe personave të tatueshëm.

“Skema aktuale e TVSH-së ka krijuar pabarazi të theksuar midis fermerëve vendas dhe operatorëve të tjerë ekonomikë që veprojnë në të njëjtin treg. Kjo situatë i ngarkon me një barrë disproporcionale grumbulluesit, përpunuesit dhe tregtarët vendas, duke vënë në rrezik trajtimin e barabartë të subjekteve ekonomike. Mbajtja e TVSH-së në masën 20% mbi shitjet, ndërkohë që blerjet nga fermerët kryhen në 0%, cenon parimin e drejtësisë fiskale dhe krijon një terren që favorizon informalitetin dhe humbjet ekonomike”, u shpreh Braçe.

Futja e faturës në këtë lloj tregu, tha ai, do të disiplinojë çdo lloj transaksioni dhe do të formalizojë tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Konkretisht në projektligj Braçe propozon shtesë në nenin 69 të ligjit ekzistues “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”

“Personi i tatueshëm gëzon të drejtën që të zbresë nga TVSH-ja e llogaritur për transaksionet e tatueshme TVSH-në e përllogaritur mbi vlerën përfundimtare tëë transaksionit për blerjen e produkteve bujqësore, blegtorale, (bimore, shtazore), peshkore, pyjore nga personi i tatueshëm tek fermerët me autofaturim. Në këtë rast “vlera përfundimtare e transaksionit” është vlera për të gjitha këto produkte, në transaksionin e blerjes se produkteve nga fermerët, dokumentuar me një fature ligjore të dakordësuar mes palëve, ku përfshihet dhe vlera e TVSH-së. TVSH llogaritet duke pjesëtuar “vlerën përfundimtare të transaksionit” me koeficientin 1/6. Autofaturimi do të aplikohet për prodhuesit bujqësorë të përjashtuar nga skema e TVSH-së deri në kufirin e përcaktuar nga ligji”, thuhet në projektligj.

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arjan Jaupllari vlerësoi nismën e deputetit Braçe, ndërsa theksoi se MBZHR mbështet në parim çdo nismë që ndikon te fermerët.

“MBZHR e ka kundërshtuar ndryshimin e sistemit të TVSH-së që në krye të herës dhe sot jemi pro kësaj nisme. Grupet e punës së MF dhe MBZHR-së do të ulen për të përgatitur aktet nënligjore të nevojshme”, tha ai.

Ndërsa deputetja e PD-së, Emilja Koliqi vuri në dukje se politika e ndjekur nga qeveria që prej 2018-ës ka sjellë një humbje të krerëve të lopëve, leshta ulej të konsiderueshme të numrit të krerëve duke sjellë edhe ulje të prodhimit blegtoral, njëkohësisht edhe një emigracion të jashtëzakonshëm të bujqve blegtorëve nga Shqipëria.
“Kjo skemë ka favorizuar vetëm importin nga Serbia e vende të tjera të rajonit, por edhe për mishin pa cilësi nga Argjentina e Brazili, që qëndron për vite e radhë në frigoriferë e konsumohet nga qytetarët shqiptare”, tha ajo

Ajo po ashtu theksoi se subvencionet janë inekzistente për bujqësinë dhe bëhen para fushatave.

Mungesën e subvencioneve për sektorin Koliqi e lidh edhe me rënien e kontributit të sektorit në PBB.

“Nëse ka qenë 20 % vitet e fundit, nga 2021 e në vazhdim, ka rënie të vazhdueshme dhe ka zbritur me -2.54%”, deklaroi ajo.

Por deputeti Braçe kundërshtoi Koliqin për sa i përket mbështetjes financiare nga qeveria për sektorin.

“Ju thoni i kemi hequr 700 milionë lekë, por në fakt ne i kemi shtuar 2.5 miliardë lekë sektorit të bujqësisë me aktin e fundit normativ për ndryshimin e buxhetit 2024”, tha ai.

Sektori i bujqësisë dhe zhvillimit rural në Shqipëri ka një peshë të rëndësishme në ekonomi, duke kontribuar me rreth 20% të PBB-së dhe duke punësuar rreth 37% të fuqisë punëtore. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›