E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Pa normë ushqimi dhe ujë të pijshëm, të gjendet zgjidhje për zjarrfikësit

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe deklaroi sot në Kuvend se zjarret po bëhen gjithnjë e më të rrezikshëm dhe më shkatërrues, ndërsa mbrojtja nga zjarri është kthyer në një çështje jetike për ruajtjen e jetës dhe pronës.

Gjatë interpelancës të kërkuar me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, Braçe theksoi se zjarret shkaktohen si nga faktorët natyrorë, ashtu edhe nga ata njerëzorë, duke përmendur temperaturat e larta, thatësirat e zgjatura, mungesën e burimeve ujore, por edhe zjarrvëniet e qëllimshme dhe gabimet njerëzore.

Braçe tha se dëmet nga zjarret po bëhen gjithnjë e më të mëdha në prona private e publike, ndërtesa dhe njësi shërbimi, ndërsa zjarrfikësit po marrin një rol gjithnjë e më të madh jetik.

“Pa ta është e pamundur të shpëtohet jeta dhe prona”, u shpreh Braçe.

Deputeti Braçe pohoi se sistemi i mbrojtjes nga zjarri është shumë më i gjerë sesa vetëm ndërhyrja e zjarrfikësve, duke përfshirë masat parandaluese, menaxhimin e pyjeve, krijimin e hapësirave ndarëse për shuarjen e flakëve, si dhe standardet e sigurisë në ndërtim.

Ai vuri në dukje rëndësinë e kodeve të sigurisë në ndërtesa, cilësisë së materialeve të përdorura dhe sistemeve të brendshme për shuarjen e zjarreve.

Braçe nënvizoi njëherësh nevojën për infrastrukturë të përshtatshme dhe hapësira të lira që mundësojnë ndërhyrjen në kohë të njësive zjarrfikëse.

Deputeti socialist shtoi se zjarrfikësit përballen çdo ditë me kushte të vështira fizike dhe rrezik të lartë gjatë operacioneve në terren.

“Janë njerëz, prindër, djem të rinj që bëjnë një punë thelbësisht fizike në kushte presioni dhe rreziku të lartë”, deklaroi Braçe.

Ai theksoi se zjarrfikësit duhet të jenë të trajnuar, të shëndetshëm dhe të mbështetur me kushte bazë, përfshirë ushqimin dhe furnizimin me ujë gjatë operacioneve në terren.

“Zjarrfikës pa normë ushqimi dhe ujë të pijshëm. Gjetja e një zgjidhjeje për ta, sidomos gjatë operacioneve kundër zjarreve, është arsyeja pse po flasim sot për këtë çështje”, tha Braçe

/e.i/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›