E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari: Gati VKM për pagesën e orëve shtesë të punonjësve të shërbimit zjarrfikës

TIRANË, 14 maj/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari deklaroi sot në Kuvend se “gjatë qeverisjes socialiste janë ndërmarrë një sërë nismash për përmirësimin e pagave dhe të kushteve të punës për zjarrfikësit”.

Gjatë interpelancës së kërkuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe lidhur me trajtimin financiar të zjarrfikësve, Lamallari informoi se trajtimi financiar i zjarrfikësve është përmirësuar.

Ndërkohë sipas tij, “qeveria do të çojë për miratim në Kuvend edhe një VKM për pagesën e orëve shtesë të punonjësve të shërbimit zjarrfikës”.

Nga ana tjetër, ministri Lamallari u shpreh se Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Zjarrfikës, sipas ligjit, ka më tepër një rol koordinues dhe një rol në garantimin e standardeve.

“Duke parë natyrën fisnike të misionit të zjarrfikësve, për mua është krenari ta kem si pjesë të strukturës së përgjegjësisë. Ligji e përcakton qartë, që Drejtoria e Përgjithshme ka një rol më tepër koordinues, një rol më tepër të garantimit të standardeve dhe unifikimit të procedurave, qoftë edhe në rekrutim”, tha Lamallari.

Lidhur me flotën e zjarrfikësve, Lamallari informoi se ka pasur një donacion së fundmi nga Kanadaja dhe do të ketë edhe nga vende të tjera, me teknologjitë më të fundit, përfshi edhe automjete për fikjen e zjarrit që do të vihen në dispozicion.

“Në bashkëpunim me homologët polakë, ne kemi bërë të mundur jo vetëm ngritjen e disa stacioneve të reja të zjarrfikëseve në vend, por edhe sigurimin e pajisjeve më të fundit në mbrojtje të jetës së zjarrfikësve”, shtoi ai.

Për sa i përket trajtimit financiar, Lamallari theksoi se ka pasur një rritje të pagave dhe shtesave mbi pagë për të gjithë nivelet e gradave për zjarrfikësit.

“Sot që flasim, një zjarrfikës përfiton pagë dhe shtesa dukshëm më të larta në krahasim me vite më parë. Ne po çojmë për miratim edhe VKM-në që lidhet me orët shtesë, me mbulimin e orëve shtesë, si dhe me trajtimin më të mirë të zjarrfikësve në të gjithë vendin”, tha mes të tjerash Lamallari. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›