E Diel, 1 Nëntor 2026

Brace: Pagat dhe pensionet janë rritur me qindarka

Kryeministri gënjen për rritjen e pagave dhe të pensioneve, sepse sipas llogaritjeve rritja e bërë është pothuaj e papërfillshme. Kështu është shprehur sot për mediat, deputeti i PS-së, Erjon Braçe.

“Me rritjen 10 % që ka lançuar dje kryeministri, kjo masë të ardhurash arrin në qytet në 11275 lekë. Rritja prej 10 % e pensionit minimal në qytet përfaqëson një rritje prej vetëm 865 lekë në vit, ose 72 lekë në muaj, ose 2.4 lekë në ditë” – ka thënë Braçe.

“Kryeministri, deklaroi dje se pensioni minimal në fshat do të rritet me 15 %. Me rritjen 15 %, kjo masë të ardhurash arrin në fshat në 6070 lekë. Rritja prej 15 % e pensionit minimal në fshat përfaqëson një rritje prej vetëm 660 lekë në vit, ose 54 lekë në muaj, ose 1.8 lekë në ditë.

“Kryeministri më i korruptuar i Evropës lançoi këtë rritje qesharake me monedha, në një kohë kur rroga e tij neto prej 2.1 milionë lekësh të vjetra, vetëm 4% e rritur do të jetë 84 mijë lekë të vjetra” – vazhdoi Braçe.

Sipas Braçes grabitja më e madhe Shqiptarëve u bëhet nëpërmjet çmimit të energjisë elektrike, kompensimit për rritjen e së cilit është caktuar prej dy vitesh në buxhetin e shtetit, por prej dy vitesh pensionistët nuk e përfitojnë atë.

Sipas raportit të vitit 2007 Bankës së Shqipërisë të dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë. Në faqen 28 ku i referohet punësimit dhe të punësuarve, thuhet se sot në vendin tonë janë 227 mijë të punësuar në sektorin privat jobujqësor. Po prapë sipas Bankës së Shqipërisë sot në vendin tonë janë 522 mijë të punësuar në sektorin privat bujqësor dhe asnjërit prej tyre nuk ju rritet paga.

“Në harkun e një viti qershor 2007- qershor 2008, vetëm nga çmimi i naftës dhe karburanteve, taksat të cilat arrijnë mbi 62 lekë të reja për litër, pra në 160 lekë që është sot çmimi i naftës për litër, 62 lekë janë vetëm taksa. Pra kryeministri u ka grabitur shqiptarëve 221. 7 milionë dollarë”- thotë Braçe.

Në harkun e vetëm 5 muajve vetëm nga grabitja përmes taksës së sheshtë, 10 % mbi çdo rrogë që aplikohet në territorin e Shqipërisë, kryeministri u ka plaçkitur shqiptarëve që punojnë, 35 deri në 40 milionë dollarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›