Skadon afati për gradat, policia nuk është sot gati
Shtyhet për pesë ditë, komunikimi zyrtar i gradave të reja në polici. Punonjësit, nën ethet e konkurseve për gradat
TIRANË- Policia e Shtetit nuk është gati për t’u komunikuar sot gradat e reja punonjësve të vet. Sot ishte afati i fundit i implementimit të ligjit për gradat e reja të efektivave blu, por në fakt, ato nuk janë gati të bëhen publike. Zyrtarë të Policisë së Shtetit thanë për “Shekullin” se deri ditën e djeshme, gradat e reja të punonjësve nuk janë firmosur ende. “Implementimi ka përfunduar, pasi sot është afati i fundit, por ato do të bëhen publike brenda pesë ditëve. Gradat do të fillojnë t’u shpërndahen oficerëve të policisë, brenda kësaj jave”,- thanë për gazetën zyrtarë të Policisë së Shtetit, të cilët shtuan gjithashtu se çdo punonjësi policie do t’i komunikohet grada që i takon, në bazë të vjetërsisë së punës dhe funksionit aktual. Ndërkohë, të njëjtat burime shtuan se ende nuk është firmosur buxheti për pagat e reja të dikasterit blu ngaMinistria e Financave, gjë e cila pritet të publikohen njëherësh me ndryshimin e gradave.
Gradat
“Tashmë ka mbetur vetëm t’u shpërndahet grada punonjësve të policisë, pasi ata janë në dijeni se çfarë grade marrin. Implementimi i ligjit për gradat e reja ka përfunduar dhe sipas ligjit, data 11 qershor ishte afati i fundit”, -thanë burime nga policia. Sipas llogaritjeve që vetë oficerët e policisë kanë bërë për vitet e punës dhe funksionin aktual, kanë mundur që paraprakisht të “gradohen” vetë. Kështu, çdo punonjës policie në bazë të kritereve që përmbush e ka të qartë se çfarë grade i takon, por një gjë e tillë pritet të konfirmohet për ta brenda pesë ditësh, kur e gjithë kjo reformë të jetë zyrtare. Ndërkohë që detyra e tyre do të shpërblehet me një pagë të re, menjëherë pas shpërndarjes së gradave. Ka shumë oficerë policie të cilët pas marrjes së gradave iu duhet largohen nga funksioni aktual për të të marrë detyrë më të ulët, pasi nuk përmbushin kriteret. Por burimet policore thanë se pavarësisht lëvizjeve të shumta në polici, në dikasterin blu deri më tani nuk ka mbërritur asnjë ankesë. Ndërkohë që ethet kanë përfshirë jo pak punonjësit e policisë, të cilët presin sot të mësojnë përfundimisht se çfarë grade do t’iu jepet.
Konkurset
Përveç etheve të gradës, Policia e Shtetit është përfshirë edhe nga ethet e konkurseve, për ata punonjës policie që duan të ruajnë gradën e lartë. Kjo duket të jetë edhe pika më e debatueshme e implementimit të ligjit, pasi siç ndodh rëndom, konkurset kthehen në farsë. “Kemi konkuruar për të mbajtur gradën e lartë, por ky provim nuk dokumentohet. Përgjigjet jepen me gojë dhe shumica e pyetjeve nuk kanë lidhje me profesionin. Kjo është vetëm një mënyrë për të ruajtur gradën personat që i kanë krahët e ngrohtë”,-bëri me dije një punonjës policie, i cili refuzon të identifikohet për mediat. Të drejtën e konkursit e kanë edhe personattë cilët do të rekrutohen në polici, që do të kenë ambicie për gradë më të lartë. Ndërkohë që çdo vit do të ketë konkurse për personat e rekrutuar në polici të cilët synojnë poste më të larta në dikasterin blu, me qëllim që të largohen nga patrulla e përgjithshme funksion të cilin e kanë të detyrueshëm për dy vjet rresht. “Nëse një oficer policie mban gradën kryeinspektor dhe ai synon gradën komisar, do të konkurrojë për të marrë këtë gradë pasi të mbushë kriterin e vjetërsisë së punës”, -thanë burime nga policia.