Braçe nis denoncimet e tregtarëve që kanë abuzuar me çmimet

Deputeti socialist Erion Braçe ka denoncuar të shtunën tregtarët që kanë abuzuar me rritjen e çmimeve.
“Çfarë ka ndodhur me produktin tënd? Me magazinën tënde? Kur e ke sjellë furnizimin e fundit? Me çfarë çmimi? Cila është norma jote e fitimit? A ka moral ky fitim?” janë pyetjet që zoti Braçe i drejton një firme e cila e ka rritur çmimin e vajit nga 145 në 345 lekë për litër.
Duke kërkuar një hetim për këto abuzime me çmimet në treg, deputeti Braçe thotë se tërmeti e pandemia kanë sjellë ndryshime të kërkesës e ofertës në një ekuilibër të ri, por thekson se ky ekuilibër nuk mund të zhvendoset në dëm të qytetarëve prej abuzimit.
“Unë nuk kam asgjë me tregtarët! Unë nuk kam asgjë me të pasurit! Pooooo, problemi im janë abuzuesit dhe abuzimi ndër ta! Tërmeti, pandemia, rinisja pas pandemisë, kanë sjellë ndryshime të kërkesës e ofertës në një ekuilibër të ri; Lufta, paniku e paqartësia prej saj, ka zhvendosur kërkesën dhe në kushtet e një oferte të pandryshuar ende, po imponon një ekuilibër të ri! Por, ky ekuilibër nuk mund të zhvendoset në dëm të qytetarëve prej abuzimit, grykësisë për të fituar fort tani, duke bllokuar magazinat, ulur ofertën përmes uljes artificiale të sasisë së mallrave në qarkullim” tha zoti Braçe.
Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimin për kompanitë që tregtojnë produktet e shportës, konkretisht për kompanitë që tregtojnë vaj, miell, vezë, oriz dhe sheqer. Prej 25 shkurtit Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e kompanive të tregtimit të karburanteve.