Braho: Imuniteti i deputetëve vështirëson zhvillimin e hetimeve

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho, gjatë seancës dëgjimore mbi veprimtarinë e SPAK për vitin 2025 në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, tha se imuniteti i deputetëve vështirëson zhvillimin e hetimeve. Braho tha se një deputet nuk duhet të kishte imunitet fare përballë ligjit.
I pyetur në lidhje me rastin e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, Braho tha se “nuk do kishte çështje nëse nuk do kishte shkelje të ligjeve. Qëndrimin e prokurorisë e keni të qartë, por kështu keni të qartë edhe mënyrën se si prokuroria ka vazhduar hetimet pas mospranimit të kërkesës”.
Ai shtoi se “faktet tregojnë që prokuroria ka bërë punën, të dyja së bashku këto elementë, sot nuk mund të para-shpall një vendimmarrje çështjesh në hetim. Ajo që garantoj është që do të jetë vendimmarrje e garantuar në ligj, në prova që siguroi hetimi duke marrë parasysh dhe arsyet se pse kuvendi ka vendosur rrëzimin e kërkesës”.
Kreu i SPAK sqaroi se Kushtetuta ndalon vendosjen e masave të sigurimit pa miratimin e Kuvendit, por nuk pengon zhvillimin e hetimeve të plota dhe të pavarura.
“Çështja konkrete, qëndrimi i SPAK është publik. Sa i përket situatë kushtuese, imuniteti ndalon vendosjen e masave të sigurimit, por nuk ndalon prokurorinë të zhvillojë hetime të plota dhe të pavarura. Mungesa e një mase e vështirëson një hetim edhe e dëmton, por nuk miratojmë ligje dhe jemi të detyruar t’i bindemi këtij kuadri ligjor. Të ishim ne pala që miratonte ndryshime ligjore, personalisht unë mendoj se s’duhet të kishte imunitet fare”, tha Braho.
/m.q/a.f/