E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Braktisja e fshehtë” e hapur në botë

09/03/2010 Projekti i Shqipërisë “Braktisja e fshehtë” është përzgjedhur midis tri nismave më të mira arsimore në botë nga qendra e UNICEF-it në Nju-Jork.

Nga Andon Andoni

Për një kohë të gjatë, madje deri disa javë më parë, në zyrën tonë të redaksisë së gazetës “Mësuesi” ishin të depozituara mjaft ekzemplarë të librit “Braktisja e fshehtë” me autor prof. Stavri Llambiri dhe në botimin cilësor të shtëpisë botuese “Pegi”, financuar nga një prej projekteve të UNICEF-it. Mësues e bashkëpunëtorë të gazetës, drejtues të arsimit, që hynin e dilnin në redaksi, u mbeteshin sytë për një çast te librat. “Janë për ju, - ua kthenim në çast. - Dhe sigurish të dhuruara.” I merrnin me gëzim për ti transportuar nëpër shkollat e komunave dhe rretheve të largëta.

Shumë prej tyre e njihnin dhe donin sërish ta çonin nëpër shkolla e në dorë të mësuesve të shumtë. Sigurisht, më të shumtë se numri i librave të prodhuar. Termi “braktisja e fshehtë” është tanimë mjaft i njohur ndër rrethet arsimore dhe sidomos te mësuesit. Herë pas here në gazetën “Mësuesi” na vijnë shkrime, ku autorët shprehin shqetësimin për dukurinë e braktisjes së fshehtë dhe tregojnë përvojat e tyre për zbutjen e saj.

Por çështë në thelb fenomeni i braktisjes së fshehtë, paraqitur mrekullisht në librat e Stavri Llambirit?

“Uluni në një bankë nga fundi i një klase dhe vështroni se çfarë ngjet. Kujt i drejtohet më tepër mësuesi me pyetje? Ku i ndalet vështrimi më shumë? Dhe si i shpërndan buzëqeshjet, madje edhe qortimet, që jo rrallë janë tejet të ashpra? Vështroni se si janë ulur nxënësit nëpër banka? Ka shumë të ngjarë që ata me vështirësi në mësime të jenë nga fundi dhe tepër pak, për të mos thënë aspak merret kush me ta. Këta nxënës janë të braktisur brenda në klasë. Mësuesit nuk kanë besim se ata mund të mësojnë diçka.

Paragjykimi i mësuesve infekton dhe ata vetë. Ata nuk besojnë më se mund tia dalin thjesht se janë të pazotë dhe kjo u mbetet një vuajtje e fshehtë për gjithë jetën. Rezervat më të mëdha të pashfrytëzuara janë tek ata. Brenda në klasë diferencohet në mënyrë diskriminuese cilësia e shërbimit mësimor. Zhvilloni një minitest në fund të orës së mësimit dhe shihni sa kanë përvetësuar në të vërtetë nxënësit nga mundi i mësuesit. Jo rrallë del se çereku, madje edhe gjysma dalin nga klasa pa qenë në gjendje tu japin përgjigje edhe pyetjeve të thjeshta për njohuritë e saposhpjeguara. Këta nxënës dinë tepër pak nga mësimet, shumë më pak nga sa janë në gjendje të dinë dhe marrin dhe në fund u japin një notë që në të vërtetë është e falsifikuar.”

Të vërteta të para në sy. Të vërteta që të udhëheqin për të ndërtuar rrugë të reja zhvilluese në klasë dhe më pas jashtë saj, në shoqëri.

Por vetëm kaq për librin e Stavri Llambirit, sidomos për ne mësuesit, nuk do të përbënte lajm, madje kryelajm, nëse këto ditë nuk do të ishim njohur me të renë më të fundit po për këtë titull libri me autor prof. e mirënjohur të matematikës Stavri Llambiri.

Siç thamë më sipër, libri është një fryt i një projekti të mbështetur nga UNICEF-i dhe si rregull zyrat e UNICEF-it nëpër botë dërgojnë në Nju-Jork projektet e tyre arsimore, të cilat i vlerësojnë si më të suksesshmet. Atje një komision i shqyrton dhe në fillim veçon 30 më të mirat. Më pas ndër këto ndan 5 më të mirat dhe në fund shpall 3 projektet më të vlefshme.

Para pak ditësh vjen një lajm në zyrën e UNICEF-it në Tiranë nga zyra e saj qendrore në Nju-Jork. Në të thuhej: “Jemi të lumtur tju njoftojmë se projekti i Shqipërisë Braktisja e fshehtë është përzgjedhur midis tri nismave arsimore për shkak të metodës së saj të suksesshme.” Pra, ndër tri më të mirat nga mijëra projekte që kanë vërshuar nga e gjithë bota.

Është më shumë sesa një gëzim që mund të përjetojë autori, stafi i zyrës së UNICEF-it në Tiranë, që për rreth katër vjet realizuan me pjesëmarrjen e një ekipi të madh, të përbërë nga specialistë, mësues, drejtues të shkollave, punonjës të drejtorive dhe zyrave arsimore rajonale dhe Ministrisë së Arsimit, pasi u botuan katër libra posaçërisht për këtë dukuri dhe kanë lexues të shumtë.

Nuk është e vështirë ta konstatosh, por është e vështirë ta çrrënjosësh.

Disa masa kundër braktisjes së fshehtë tanimë janë në veprim. Sipas udhëzimeve të posaçme ministrore, shkolla harton plane vjetore sipas një formati të ri me objektiva të matshme për arritjet e nxënësve. Çdo mësues duhet të shkruajë në ditar që në hyrje të çdo kapitulli objektivat minimale të domosdoshme për nxënësit. Drejtuesit e shkollave duhet të kontrollojnë rendimentin minimal të orës mësimore nëpërmjet minitesteve në fund të orës mësimore dhe rendimentin e kapitullit me të tilla teste të shpejta.

Rruga tani është e hapur. Ajo ka marrë dhe tagrin e një prej organizmave më prestigjioze në botë që ka akses të drejtpërdrejtë në arsim dhe edukim.

Nga një “Braktisje e fshehtë” ajo tashmë është bërë një projekt i hapur, që do kontribuojë në mbarë sistemin tonë të mësimdhënies dhe edukimit, por dhe në botën që na rrethon.

Ja si shkruan një ekspert i nivelit të lartë, Roland Sulltana, drejtor i Institutit Mesdhetar të Kërkimeve Arsimore, sapo mësoi për çmimin e lartë që meritoi projekti “Braktisja e fshehtë”:

“Jam shumë i gëzuar nga ky lajm. Njohja ndërkombëtare plotësisht e merituar e punës që është bërë në Shqipëri dhe e përkushtimit të Stavrit, aurorit, dhe shumë të tjerëve për të mirën e fëmijëve, sidomos të atyre më të diskriminuar. Vërtet shumë mirë!

Ronald”

Helena Abazi është një specialiste e Bankës Botërore në Uashington dhe veç meritave si autore e shumë librave dhe studimeve është e mirënjohur si njohëse e 20 gjuhëve të huaja, përfshirë dhe shqipen. Ajo erdhi në Shqipëri me një mision tjetër, por pasi u njoh me projektin “Braktisja e fshehtë” u dha shumë pas saj dhe vazhdon të shkruajë për të:

“Unë nuk e harroj kërkimin tuaj shkencor për braktisjen e fshehtë dhe shpesh e përmend atë.”

“Jam shumë e gëzuar që erdha në Shqipëri, sepse kështu munda të njihja punën tuaj për braktisjen e fshehtë.” “Kërkimi juaj për braktisjen e fshehtë është bërë shumë i rëndësishëm për mua, sepse është një dukuri e përhapur në të gjithë botën.”

“Qysh kur isha në Shqipëri në prillin e kaluar e kam përdorur shumë në vendet e tjera studimin tuaj mbi braktisjen e fshehtë.”

Ndërkaq nga specialistët e UNICEF-it në Nju-Jork vjen shënimi: “Ne jemi shumë të interesuar për këtë projekt. “Braktisja e fshehtë” me të drejtë tashmë ka fituar statusin e “Braktisjes së fshehtë” të hapur dhe nxitëse për mësuesit tanë anekënd vendit, për komunitetin pranë shkollës, prindër e nxënës, duke qenë një shëmbëlltyrë për gjithë botën.

Por ajo që vlen të thuhet për gazetën a nuk duhen para dhe pjesë të tëra të shoqërisë sonë në frymën e “Braktisjes së fshehtë” të këtyre librave? A nuk kemi pjesë të tëra të komunitetit të braktisur të fshehtë, që nga romët, egjiptianët, komunitete të zonave të thella rurale, madje dhe brenda metropolit? Është një sjellje që na bën të gjithëve sensibël dhe na nxit ta vështrojmë së paku si një fenomen që ngre dyfek dhe që duhet të jetë në qendër të sjelljes sonë shoqërore dhe jo në fundin “e klasës”, nëse perifrazojmë një nga shprehjet e librit të Stavri Llambirit “Braktisja e fshehtë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›