E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tufë me lule nënës në oborrin e burgut të Bënçës

09/03/2010 REPORTAZH / Surpriza e njërit prej të burgosurve, lot dhe festë

TEPELENË / Gëzim F., 50 vjeç, i dënuar me 15 vjet burg për vrasje, më kot u përpoq të mbante lotët, por dashuria për nënën nuk kishte limit për të.

"Dua ti bëj një dhuratë të veçantë nënës sime të shtrenjtë me rastin e 8 marsit, prandaj dëshiroj që kërkesa ime e vetme të realizohet", ishte kërkesa e tij drejtuar administratës së burgut.

Surpriza

Drejtori i burgut të Bënçës (Tepelenë), Qamil Xhemili, ishte "dorëzuar pa kushte” përpara një fakti të tillë. "Ishte një kërkesë tërësisht humane dhe personalisht jam përpjekur që i dënuari të kishte të drejtë ti bënte surprizë nënës së tij", thotë Xhemili.

Nëna e të burgosurit, si gjithmonë e përpiktë në orar, pas procedurave të kontrollit, nuk u vendos në dhomën e pritjes, por në oborrin e burgut. I dënuari Gëzim F., kishte blerë për nënën e tij një buqetë me trëndafila të freskëta. "Gëzuar festën nënë!!!", ishte urimi i Gëzimit. Lotët e saj, e cila prej 5 vjetësh bën rrugën vajtje-ardhje nga zonat e thella të rrethit të Përmetit, nuk pushonin teksa puthte pa pushim djalin e vetëm.

"Pavarësisht se Gëzimi ndodhet i izoluar brenda katër mureve, çdo i burgosur ka të drejtë të festojë, pavarësisht statusit që ata gëzojnë aktualisht”, shprehet drejtori i burgut.

Sipas tij, këto takime surprizë nuk kanë në vetvete thjesht anën njerëzore, por me këtë format të dënuarit kanë mundësi të ndihen të barabartë me njerëzit e lirë. Xhemili thotë se me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, administrata e burgut organizoi dje edhe një aktivitet kulturor, në prani të drejtuesve të pushtetit vendor, si dhe me pjesëmarrjen e parodistëve të Vlorës. Burgu i Bënçës, një godinë dykatëshe, ndodhet rreth tre kilometra larg qytetit të Tepelenës, në veriperëndim. Ajo është ndërtuar gjatë kohës së regjimit komunist enkas për të burgosurit politikë. Aktualisht, në këtë institucion vuajnë dënimin afro 110 shtetas, prej të cilëve dhjetë me burgim të përjetshëm, 60 të dënuar me dënime të ndryshme, ndërsa pjesa tjetër presin vendimin e drejtësisë shqiptare.

Shoqata e grave: Nën minimumin jetik

Gratë e vajzat e periferisë së

Durrësit në varfëri ekstreme

DURRES- Periferia e Durrësit, kryesisht në Spitallë, Porto Romano, Shkallnur, NISH Tulla jeton në një gjendje të vështirë ekonomike e sociale. Shoqata e grave ka ndërmarrë këto ditë nismën për të protestuar në mënyrën e vështirë të jetesës së dhjetëra e qindra familjeve në këtë pjesë të qytetit bregdetar. Papunësia e lartë, ndër më të lartat në shkallë vendi, niveli i ulët ekonomik, mungesa e theksuar e investimeve nga subjektet private apo edhe ato lokale, shkalla e ulët e nivelit të kualifikimit profesional kanë qenë arsyet kryesore, të cilat kanë lënë në harresë këtë pjesë periferike. Janë më shumë se 1700 familje që jetojnë nën minimumin jetik në Spitallë, Porto Romano, Nish Tulla, Arapaj dhe Shkallnur, ndërsa asnjë familje e kësaj kategorie nuk ka përfituar trajtim financiar nga bashkia për nivelin e ulët ekonomik. Dje shoqata e grave në Durrës ka raportuar për një pjesë të të dhënave që lidhen me kushtet deri diskriminuese të grave e vajzave në këtë zonë, por edhe të familjeve të tyre. Vetëm në Porto Romano e Spitallë, periferi të populluara në 15 vitet e fundit nga më shumë se 20 mijë banorë të ardhur më së shumti nga Veriu e Verilindja, janë regjistruar 203 familje në gjendje të mjeruar. Sipas aktivisteve të shoqatës së grave, këto familje nuk kanë ushqim, veshmbathje, orendi apo edhe strehë duke bërë një jetë të pamotivuar. Zona informale është lënë jashtë vëmendjes nga Bashkia e Durrësit dhe të vetmet investime janë bërë me fondet e shtetit në rikonstruksionin e rrugës, shtrimin e tubacioneve kryesore të ujit të pijshëm, rikonstruksionin e shkollave 9-vjeçare dhe shtrirjen e rrjetit elektrik. Politikat e zhvillimit infrastrukturor, social e ekonomik nga pushteti vendor në këto pjesë fundore të qytetit kanë munguar tërësisht. Të tilla fakte janë bërë objekt i analizës nga qendra e grave në Durrës, të cilat janë përqendruar kryesisht tek gjendja sociale, arsimore dhe ekonomike e femrave. Krerë të shoqatës janë shprehur se në Porto Romano, Spitallë, Arapaj, Shkallnur, Shënvlash e Currila nuk ka asnjë kompani e linjë, e cila mund të punësonte gratë e vajzat e zonës. Niveli arsimor i kësaj kategorie është i ulët, ndërsa qendrat e kualifikimeve të specialiteteve të ndryshme nuk kanë pasur asnjë projekt e program për të përgatitur këtë shtresë për tregun e punës. Për shkak të infrastrukturës dhe gjendjes ekonomike e sociale fare pak gra e vajza të rritura ndjekin kurse kualifikimi për të mundësuar punësimin e tyre. Shoqata është shprehur se bashkia nuk ka asnjë ide e program për zhvillimin e periferisë dhe integrimin e femrës në këto zona skajore. Bashkia nuk mundi të afrojë tokë truall për ndërtimin në Porto Romano të dy shkollave të nivelit bashkëkohor dhe kjo është cilësuar nga shoqata si mungesë vullneti e administratës për të integruar periferinë në jetën qytetëse. Më shumë se 1700 të rinj bëjnë rrugë të gjatë për të vijuar studimet apo nuk kanë vijuar shkollën e mesme vetëm pse në zonën e tyre nuk ka godinë arsimore. Asnjë familje e vobektë me fare pak të ardhura apo pa të ardhura ekonomike nuk është bërë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike nga bashkia. Gratë e vajzat trashëgojnë kulturë e njohuri artizanale, por ushtrimi i njohurive kërkon mbështetje financiare dhe sociale. Shoqata e grave ka protestuar dje para institucioneve në Durrës për drejtësi e kushte ekonomike. Xh. Gradica

8 marsi në Fier

I ftohti si ndal gratë, festë

në lokalet e qytetit

Moti i keq dhe me reshje të pandërprera nuk e ka sfiduar dot festën e 8 Marsit. Gratë fierake, në mënyrë të organizuar apo në shoqërinë e familjarëve dhe të afërmve kanë festuar gëzueshëm ditën simbol të tyre. Qyteti edhe pse i veshur në gri për shkak të motit ziente nën tingujt e muzikës, urimeve të ngrohta dhe zbukurohej nga lulet e pafund të bëra dhuratë. Rrugët dhe sheshet e qytetit të Fierit, si dhe luleshitësit kanë qenë në ditën e tyre më të mirë. Tufa me lule të freskëta janë shitur në çdo cep të qytetit, ndërsa baret dhe lokalet gumëzhinin nga kolektivat e gjinisë femërore, të cilat kishin vendosur të kalonin një ditë “ndryshe” pa ndikimin burrëror. Gratë socialiste edhe këtë vit kanë festuar veçmas grave demokrate dhe atyre të LSI-së, ndërkohë që gratë e institucioneve të ndryshme shtetërore si mjekësia, arsimi, kultura etj, janë grupuar sipas kolektivave për të festuar në baret dhe lokalet e shumtë të qytetit. Drejtorja e spitalit rajonal të Fierit, Donika Alushani, ka pohuar se kjo është një ditë e shënuar e atyre që na dhanë jetën, na lindën, rritën dhe edukuan dhe shoqëria njerëzore nuk duhet të kujtohet për to vetëm në një datë të caktuar. Shumë lokale kanë gjetur një zgjidhje «origjinale» për të qenë ndryshe. Kompleksi “Lux” në qendër të qytetit të Fierit çdo klienteje femër që vinte në lokal i dhuronte një lule, një kartolinë dhe një dhuratë simbolike për ti kujtuar komunitetit që femrat janë pjesa më e çmuar e tij. A. Damini

Për pronat

Protesta e grave të Orikumit

në festën e 8 Marsit

VLORE- Rreth 60 gra kanë protestuar mëngjesin e sotëm në Ditën Ndërkombëtare të Grave në hyrje të qytezës së Orikumit, duke bllokuar për disa minuta edhe aksin rrugor Vlorë-Sarandë. Gratë protestuese kanë zgjedhur që në këtë mënyrë në ditën e tyre, të përmendet dhe çështja që po vijojnë protesta që prej vitit të kaluar. Sipas tyre, protesta e zhvilluar ditën e sotme është në vijim të protestave në lidhje me ligjin 7501 për tokat e ish-NB Rinia Orikum. Me parulla në duar ato janë nisur që prej qendrës së qytezës rreth orës 9 të mëngjesit, duke dalë në rrugën kryesore që lidh Vlorën me Sarandën, ndërsa disa efektiva të policisë kanë tentuar mos ti lejojnë gratë, kanë arritur të qëndrojnë për disa minuta duke bllokuar qarkullimin. Sipas tyre, apeli ditën e sotme iu drejtua bashkëshortes së Kryeministrit, znj. Liri Berisha, e cila duhet të shikojë dhe çështjen e tyre, pasi për shumë vjet gratë kanë punuar mbi këtë pronë duke e kthyer në një tokë të shfrytëzueshme, ndërsa sipas tyre, sot nuk po arrijnë të marrin atë që ju takon. Dh. Spiro

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›