Brataj: Mos shkoni në mal pa udhërrëfyes, mungojnë pajisjet dhe strukturat e specializuara

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka ngritur shqetësimin për sigurinë në zonat malore, duke theksuar se rritja e numrit të turistëve të huaj po shoqërohet edhe me rreziqe serioze për jetën.
I ftuar në “Mirëmëngjes Shqipëri”, Brataj u shpreh se vizita në mal pa njohuritë e duhura është e rrezikshme, pasi terrenet malore fshehin shumë kurthe dhe kushte të paparashikueshme.
Ai theksoi se ndërhyrja në raste emergjencash në mal kërkon bashkëpunimin e disa strukturave, nga bashkitë për itineraret, deri te shërbimet e urgjencës. Megjithatë, sipas tij, Shqipëria ende nuk i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të përballuar situata të tilla.
“Duhet të kemi burime shtesë, pajisje të specializuara dhe staf të trajnuar që mund të përballojë ecje të gjata 7-8 orëshe në terrene të vështira”, u shpreh ai.
Një tjetër problem i ngritur është mungesa e mjeteve për ndërhyrje gjatë natës. Edhe pse helikopterët mund të operojnë gjatë ditës, natën ndërhyrja bëhet shumë e vështirë për shkak të mungesës së fushëpamjes dhe pajisjeve të posaçme.
Brataj nënvizoi gjithashtu nevojën për organizim më të mirë të shtigjeve malore, duke i krahasuar ato me një “rrjet urban” që duhet të jetë i hartëzuar dhe i pajisur me sinjalistikë të qartë. Ai theksoi se megjithëse kanë ekzistuar projekte për identifikimin dhe shënimin e shtigjeve, ato nuk janë realizuar plotësisht.
Sipas tij, kushtet atmosferike, veçanërisht era, luajnë një rol vendimtar në sigurinë në mal, duke e bërë edhe më të rëndësishme planifikimin dhe përgatitjen e mirë të çdo udhëtimi.
Brataj vlerësoi përgatitjen e stafit aktual, por shtoi se nevojiten më shumë specialistë të trajnuar. Ai përmendi edhe iniciativat e Universiteti i Sporteve i Tiranës për përgatitjen e guidave malore, duke theksuar se megjithatë mbetet një boshllëk në aspektin mjekësor.
“Një guidë mund ta njohë shumë mirë terrenin, por pyetja është: a është në gjendje të japë ndihmën e parë në rast emergjence?”, përfundoi ai.
/rtsh.al/