Brataj për RTSH: Vdekja e Duamenës duhej evituar

Skënder Brataj, Drejtori i Përgjithshëm i Urgjencës Kombëtare ka folur në emisionin “E diela jonë” në RTSH për vdekjen e Duamenës. Ai ka sqaruar në mënyrë të detajuar shkaqet që sollën humbjen e jetës së futbollistit. “Ai ishte një rast i evidentuar ndaj duhej evituar” – ka theksuar mjeku Brataj.
I ftuar në emisionin E diela Jonë, në RTSH, në hapësirën kushtuar sportit, Skënder Brataj, Drejtori i Përgjithshëm i Urgjencës Kombëtare ka folur për ndarjen tragjike nga jeta të futbollistit të Egnatias, Rafael Duamena. I pyetur nga moderatorja Ida Zavalani, ai ka sqaruar se ky nuk është rasti i vetëm në sportin botëror, por në Shqipëri kjo është një ngjarje e rrallë.
“Sigurisht që është një rast i rrallë për Shqipërinë, sepse është hera e parë që ndodh. E dimë shumë mirë që në botë raste të tilla janë të shpeshta, kujtojmë dhe rastin e Eriksen në Kampionatin Evropian. Nëse për Eriksen ishte hera e parë, nuk dihej nëse ishte i sëmurë apo jo, për futbollistin e Egnatias kishte një histori të gjatë, të diagnostikuar më parë, të njohur dhe nga klube evropiane me të cilat kishte luajtur më parë. Përfundimi ishte ai që pamë”.
Por Brataj thekson se në rastin e Duamenës kjo gjë duhej evituar, pasi ai ishte evidentuar si i sëmurë.
“Nuk duhet të luante, kjo ishte mundësia që ai të jetonte, sepse ai ishte diagnostikuar me një patologji, sëmundje e lindur, e cila zbulohet rastësisht shumë herë, sidomos tek sportistët. Konkretisht, zmadhim I zemrës, i mureve të saj. Këshillohet jo aktivitet fizik siç është sporti. Këshillohen ndërhyrje kirurgjikale, ose vendosje e një aparati, siç ishte rasti i Duamenës”.
Ndërkohë që ka nisur hetimi për të sqaruar shkakun e humbjes së jetës së lojtarit.